E VËRTETA MBI SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT


E VËRTETA MBI SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT
✤ (Lavëritë sur l’Albanie et les Albanais, Paris 1879). Vepër e Pashko Vasës dhe një nga veprat më të rëndësishme të Rilindjes Ksmbëtare Shqiptare që propagandonte unitetin kombëtar të shqiptarëve, shprehej për autonominë e Shqipërisë brenda tërësisë territoriale të saj dhe me një administratë të vetme. Demaskohej veprimtaria shkombëtarizuese e agjenturave të huaja në territorin shqiptar dhe kërkohej hapja e shkollave shqipe. Vepra shprehte pakënaqësinë e popullit dhe të qarqeve borgjeze shqiptare kundër politikës shtypëse të qeverisë osmane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Vinte theksin edhe kundër politikës fiskale grabitqare të qeverisë turke që varfëronte popullsinë, ngushtonte tregun ekonomik dhe pengonte akumulimin kapitalist. Me këtë vepër autori ngrihej edhe kundër shërbimit ushtarak, i cili «i ka dhjetuar shqiptarët… dhe i ka hequr nga punët e tokës krahët më të fortë». Vepra u bë e njohur tërësisht në opinionin patriotik shqiptar dhe në atë përparimtar evropian.

(K.X.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – E Vërteta Mbi Shqipërinë Dhe Shqiptarët


[cite]