EFTIMIU VIKTOR


EFTIMIU VIKTOR
✤ (1889-1972). Shkrimtar rumun me prejardhje shqiptare, akademik i Rumanisë. Lindi në Boboshticë të Korçës; në Rumani mërgoi që herët. Radhitet ndër përfaqësuesit më në zë të letërsisë rumune të shek. XX. Bëri emër me veprat:

«Njeriu që pa vdekjen me sy», «Kokoshi i zi», «Prometeu», «Dr.Fausti», «Don Zhuani» etj. Megjithëse jetoi larg vendlindjes, V. E. i ruajti lidhjet shpirtërore me Shqipërinë. Në vitet 20 ishte kryetar i një shoqërie atdhetarësh në Bukuresht që punonte për mbrojtjen e të drejtave të Shqipërisë si shtet i pavarur. Shkroi në këtë kohë, në përkrahje të interesave të Shqipërisë edhe një varg artikujsh ‘në shtypin e huaj. Nga fundi i jetës erdhi dy herë në Shqipëri dhe përshëndeti me entuziazëm përparimet e mëdha të kryera nën pushtetin popullor.

V.E. shkroi një varg krijimesh me motive shqiptare: «Portrete dhe kujtime®, «Dy kryqe», poemthin «Skënderbeu» dhe esenë «Folklor shqiptar». Në gjuhën shqipe janë përkthyer disa vepra të tij Nusja e kuqe, Osman Opingaxhiu dhe Dy kryqe (1923), Akim (1931), Njeriu që pa vdekjen me sy (1944). Dr.Fausti (1963), Skënderbeu, Folklor shqiptar dhe vargje të zgjedhura (1974). Disa vepra janë vënë edhe në skenë. E. ishte anëtar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë dhe është dekoruar me Urdhrin «Naim Frashëri» të kl.I.

(V.B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Eftimiu Viktor


[cite]