ENËT LIMFATIKE

Enët limfatike janë gypa cilindrikë si enët e gjakut. Ato paraqesin disa ngushtime e zgjerime të rregullta, që u japin pamjen e tespiheve. Zgjerimet e enëve limfatike shkaktohen nga valvolat, të cilat, ashtu si te venat, e lejojnë limfën të rrjedhë vetëm në një drejtim. Enët limfatike përmbajnë më shumë valvola se venat. Kështu, p.sh,, enët limfatike të gjymtyrëve të sipërme, që nga gishtërinjtë e deri te sqetulla, kanë 60 deri 90 valvola, ndërsa ato të gjymtyrëve të poshtme 80 deri 100.

Nga rrjeta kapilare limfatike lindin enët limfatike, të cilat, duke udhëtuar pranë venave, drejtohen për te nyjat limfatike, që janë shpërndarë në të gjithë organizmin. Nga nyjat limfatike dalin enë limfatike më të mëdha, të cilat, duke u bashkuar me njëra-tjetrën, formojnë në fund dy degë të mëdha që quhen kanali i kraharorit dhe vena e madhe limfatike. Kanali i kraharorit mbledh limfën që vjen nga të gjitha pjesët e poshtme të trupit dhe një pjesë që vjen nga ana e majtë e kraharorit, e qafës dhe e kokës. Kjo degë e madhe limfatike bashkohet në kraharor me venën kryesore, që shpie gjakun venoz në veshin e djathtë të. zemrës; ndërsa vena e madhe limfatike mbledh limfën që vjen nga ana e djathtë e pjesës së sipërme të trupit. Pak para zemrës, ajo bashkohet me kanalin e kraharorit. Në këtë mënyrë limfa, që rrjedh në sistemin limfatik, hyn përsëri në qarkullimin e përgjithshëm të gjakut.

Trupi — Ynë

[cite]