EPIFITIA


EPIFITIA
✤ (Epiphytia). Përhapja e gjerë dhe e njëkohshme e një sëmundjeje të bimëve, që përfshin një rajon, rreth ose shtet. E. mund të jetë e menjëhershme ose e shkallëzuar. Zhvillimi i E. kushtëzohet nga disa faktorë, si: shfaqja në masë e një sëmundjeje; ndjeshmëria e bimës; kushtet e mjedisit. Kur një sëmundje e rënë përhapet gjerësisht ajo sjell dëme për bimën dhe ekonominë, p.sh. vrugu i duhanit (Peronospora tabacina) që u shfaq në formë E. në v.1961 dëmtoi rreth 70% të prodhimit. Për t’i mbrojtur bimët nga sëmundjet me karakter epifitik në Shqipëri po punohet dhe janë krijuar kultivarë të qëndrueshëm, p.sh. të grurit kundrejt ndryshqeve, hibride misri kundrejt hemintosporiozave, hibride duhani kundrejt vrugut etj.

(T.Ka.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Epifitia


[cite]