EPIRI
✤ Krahinë dhe një nga shtetet e Ilirisë së Jugut, që shtrihej nga malet e Vetëtimës (Akrokeraunet antike) dhe rrjedhja e mesme e Vjosës në V, deri në gjirin e Ambrakisë në J, dhe nga malet e Pindit në L, deri në brigjet e detit Jon në P. Emërtimi E. për këtë krahinë (në greqisht do të thotë stere, tokë), ka qenë përdorur në fillim nga autorët grekë si një emër i përgjithshëm që përcaktonte pozitën kontinentale të saj përballë Greqisë ishullore. Vetëm nga fundi i shek.VI p.e.r. ai u shndërrua në një emër të përveçëm gjeografik, ndërsa në gjysmën e dytë të shek.IV p.e.r. ai mori edhe kuptim të përcaktuar politik.
E. banohej nga shumë fise, ndër të cilët më kryesorët ishin tesprotët, kaonët dhe molosët. Me gjithë disa veçori të jetës kulturore e politike, këto fise ishin etnikisht të një trungu me ilirët, me të eilët i lidhte gjatë gjithë periudhave të historisë së tyre, një fond i gjerë i përbashkët traditash, që ndryshonin nga ato të Greqisë antike.
Në të tretën e fundit të shek.V p.e.r. fiset epirote kishin arritur të organizoheshin në bashkime federative të njohura me emrin koine (bashkësi) të cilat kishin sisteme të ndryshme politike. Koinoni i molosëve sundohej nga mbretër të dinastisë së Aiakidëve, ndërsa kaonët dhe tesprotët qeveriseshin nga dy magistratë të lartë (prostatët), të cilët zgjidheshin çdo vit nga rrethet aristokratike. Këto bashkësi dolën në skenën e historisë si forma politike më vete në kohën e Luftës së Peloponezit (432-404 p.e.r.), kur ushtritë e kaonëve, të tesprotëve dhe molosëve, me sundimtarët e tyre në krye, morën pjesë më 429 p.e.r. në ekspeditën kundër qytetit Strato të Akarnanisë, në anën e Spartës. Që nga ajo kohë molosët të sunduar nga Tarypa (shih) e pasardhësit e tij filluan të fitojnë epërsi mbi fiset e tjera dhe e vunë E. në rrugën e bashkimit të tij ushtarak e politik. U krijua një organizim shtetëror më i gjerë, i njohur me emrin Lidhja e Molosëve, që përfshinte edhe popullsi të tjera epirote, nën hegjemoninë e fisit që i jepte emrin bashkësisë. Kjo përbën etapën e parë në procesin e krijimit të shtetit federativ të E. Pas mesit të shek.IV p.e.r. Lidhja e Molosëve hyri në sferën e ndikimit maqedon, megjithatë sundimtarët e saj e vazhduan politikën e bashkimit të vendit. Zgjerimi i mëtejshëm i Lidhjes, sidomos pas përfshirjes në gjirin e saj të koinonit të rëndësishëm të tesprotëve, që u krye në kohën e sundimit të Aleksandrit Molos (342-331 p.e.r.), çoi në krijimin e një forme të re shtetërore me karakter gjithnjë federativ, por me përmbajtje të re kushtetuese, e quajtur Aleanca e Epirotëve, në të eilën gjithë pjesëmarrësit kishin të drejta të barabarta. Ajo përbënte etapën e dytë në procesin e bashkimit politik të Epirit.
Etapa e tretë u realizua në kohën e sundimit të mbretit të dëgjuar epirot, Pirros (307-272 p.e.r.), Pirroja arriti të sundonte për një kohë jo vetëra mbi tërë Epirin, por edhe mbi një pjesë të madhe të Maqedonisë dhe të Tesalisë në L, si dhe mbi krahinat greke të Ambrakisë, Amfilokisë dhe Akarnanisë në J etj. Gjatë sundimit të Pirros, shteti i E. u bë një nga fuqitë e rëndësishme ushtarako-politike të kohës, që luajti rol të shënuar në zhvillimin e ngjarjeve në Maqedoni, Greqi, e Itali. Pas Pirros shteti monarkik epirot filloi të humbasë fuqinë e mëparshme derisa në kohën e përfaqësueses së fundit të dinastisë së Aiakidëve, Deidamesë, në vitet 30 të shek.III p.e.r. u kthye në një bashkim shtetëror republikan me emrin Lidhja Epirote. Gjatë kësaj kohe (232-168 p.e.r.) E. kaloi situata të vështira, të shkaktuara nga pleksja e interesave të fuqive të mëdha të kohës: shtetit ilir, atij maqedon dhe Romës. E gjendur në vorbullën e kontradiktave dhe të luftërave midis këtyre fuqive Lidhja Epirote nuk qe në gjendje të luaj ndonjë rol të dukshëm. Në vitin 167 p.e.r. ajo ra nën sundimin romak dhe pas vitit 148 p.e.r. E. u bë pjesë e Provincës maqedone, kurse në fund të shek.II të e.r. formonte një provincë më vete. Me reformën administrative të Dioklecianit në fund të shek.III emërtimi E. u shtri edhe në trevat në V të Vjosës, të ciiat formuan provincën Epiri i Ri (shih); për t’u dalluar nga kjo, trevat tradieionale të Epirit u quajtën provinca e Epirit të Vjetër (shih). Këto emërtime vazhduan të përdoren gjatë mesjetës nga autorë eruditë, sipas traditës klasike, ndërsa administrata shtetërore bizantine njihte vetëm themat e Nikopojës dhe të Durrësit. Në trevën e Epirit të Vjetër u shtri nga fillimi i shek.XIII një formacion i ri shtetëror feudal, i cili për këtë shkak u quajt nga shkenca Despotati i Epirit (shih). Nën ndikimin e autorëve të vjetër dhe të paqartëslsë së caqeve territoriale gjeografike, sidomos autorët humanistë të shek.XV-XVI, midis të cilëve edhe Marin Barleti (shih), e përdorën termin E., pa e dalluar në të Vjetër e të Ri, për rnbarë trevat shqiptare, që në të vërtetë përputheshin vetëm pjesërisht me shtrirjen e E. Që nga shek.XI, lidhur me afirmimin e shqiptarëve si faktor politik, u afirmua dhe u përgjithësua emri etnik i vjetër Albanon e Arbanon (shih), i trashëguar nga antikiteti ilir. Ishte ky emër që pasqyronte realitetin etnik, i cili u përgjithësua duke përfshirë në shek.XIV një pjesë të trevave të banuara nga një popullsi homogjene etnike, arbëreshët.
(F.D.-E.D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Epiri