FARMACEUTIKA
✤ Shkeneë që studion përbërjen dhe përdorimin e lëndëve mjekuese. Në shkencër. e F. bëjnë pjesë disiplinat si: farmakognozia, kimia farmaceutike, teknologjia farmaceutike, kimia toksikologjike, analiza farmaceutike. Sipas dëshmive historike ilirët kanë ditur të dallojnë e t’i përdorin në forma të ndryshme për mjekimin e sëmundjeve shumë bimë mjekësore, lëndë minerale etj. F. është ushtruar nga mjekë empirikë, nga herboristë e më vonë nga mjekë-farmacistë që përdornin pije të ngrohta, pilula, pomada, ekstrakte e pluhra. Farmacitë e para hapen nga mesi i shek.XIX në Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan, Gjirokastër, Korçë etj. Farmacitë e spitaleve ngrihen në fillim në Korçë (në v.1917) etj. Këto institucione para Çlirimit ishin krejt të pamjaftueshme. Pas Çlirimit të Shqipërisë me shtetëzimin e tyre në v.1946 F. u organizua si shërbim institucional shtetëror dhe hyri në rrugën e zgjerimit e të përsosjes për të plotësuar kërkesat e shëndetësisë popullore. Shërbimi farmaceutik (shih) sot është shtrirë deri në zonat më të thella me një sistem të tërë ndërmarrjesh farmaceutike. Më 1947 u organizua baza e depozitimit dhe e furnizimit me shumicë të barnave (Fufarma), pas v.1948 është ngritur e është rritur me ritme të shpejta prodhimi farmaceutik (shih Profarma). Krahas tyre është ngritur e ka zgjeruar veprimtarinë dhe Laboratori i kontrollit të barnave (v.1965). Nga ndërmarrjet e grumbullimit të bimëve mjekësore, bëhet vlerësimi kimik i lëndës së parë bimore si dhe përpunimi industrial i burimeve të vendit e distilimi industrial i esencave të bimëve aromatike. Për përgatitjen e kuadrit të mesëm më 1947 u hapën kurse 1-2 vjeçare dhe më pas në v.1951 Politeknikumi Mjekësor. Në v.1960 u ngrit pranë UT dega e farmacisë që përgatit kuadrin e lartë. Kërkimet, studimet e punimet në F. bëhen nga katedra e farmaceutikës dhe institucionet farmaceutike të vendit. Një vend të rëndësishëm zë «Udhëzuesi për preparatet që përdoren në praktikën mjekësore».
(P.Ro.—Z.S.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Farmaceutika
[cite]