9.9 Figura minore të letërsisë së Rilindjes
Lindja e gazetarisë dhe botimeve në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillim të
shekullit të njëzetë u dha intelektualëve dhe një numri të madh figurash kombëtare mundësi
botimi për veprat e tyre letrare, që krijoheshin e shkruheshin me një gjuhë ende të papërpunuar.
Problemi kryesor i këtyre autorëve ishte forcimi i identitetit kombëtar dhe çlirimi i vendit nga
zgjedha turke, dhe këtij qëllimi ia kushtuan energjitë e veta në shumë fusha. Me sa duket, gati
të gjitha figurat madhore e minore të periudhës së Rilindjes, në një shkallë a në një tjetër, janë
marrë me poezi si mjet e mënyrë për të shprehur dëshirat e qëllimet e tyre atdhetare, dhe
pikërisht kjo poezi me frymë romantike kombëtare përbën materialin kryesor letrar në shtypin
e ditës, si në Shqipëri ashtu edhe në ngulimet shqiptare jashtë.
Një nga poetët e shumtë minorë të periudhës, që botoi poezi të tillë për të zgjuar
popullin nga letargjia ku kish rënë në dhjetëvjeçarë amullie dhe korrupsioni osman, është
Koto Hoxhi (1824-1895), i njohur edhe me emrin Kostantin Hoxhi, nga Qestorati në krahinën e
Gjirokastrës. Hoxhi mori mësimet në një shkollë greke e më pas në Konstantinopojë, ku u
frymëzua nga takimet me vëllezërit Frashëri e me udhëheqës të tjerë të lëvizjes për t’iu
përkushtuar çështjes kombëtare. Ai ishte anëtar themelues i Shoqërisë së të shtypuri shkronja
shqip në tetor 1879. Hoxhi punoi shumë për zhvillimin e shkollës në vendlindje dhe prandaj u
shkishërua nga mitropoliti ortodoks grek i Gjirokastrës, sepse kishte “krijuar një çështje
shqiptare”. Vdiq pasi e sulmuan mu përballë kishës në fshatin e lindjes Qestorat. Vjershat
patriotike me frymë popullore të Koto Hoxhit dhe shkrimet e tjera didaktike e fetare u botuan
pas vdekjes në antologjinë prej 244 faqesh të Vissar Dodanit Mialt’ é mblétese, 1898, dhe në
përmbledhjen letrare folklorike prej 856 faqesh të Spiro Risto Dines Valët e detit, Sofje 1908.
Sali Butka78 (1857-1938) ishte një tjetër poet popullor nga Shqipëria e jugut. Kjo figurë
interesante vinte nga fshati Butkë i Kolonjës buzë kufirit me Greqinë dhe ishte një nga
udhëheqësit kryesorë të forcave shqiptare qoftë kundër grekëve, po ashtu edhe kundër
xhonturqve. Poezia e tij kombëtare e politike, e frymëzuar pjesërisht nga Naim Frashëri, u botua
në përmbledhjen Ndjenja per atdhe, Korçë 1920. Murad Toptani79 (1868-1918) lindi në
Stamboll dhe u rrit në familjen Frashëri me të cilën kishte lidhje fisnore. U burgos nga
autoritetet osmane për veprimtari kombëtare e u dërgua në Anadoll. Ka qenë i pranishëm në
Vlorë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemal bej Vlora në nëntor 1912 dhe
mori pjesë në themelimin e së parës shkollë shqipe në Tiranë. Poezia atdhetare e Murad
Toptanit u botua në vëllimin Vjershat e Murad Toptanit, Tiranë 1924. Ai ishte edhe një skulptor
i shquar.
Poeti Thimi Thoma Kreji ishte një figurë udhëheqëse kombëtare e bashkësisë shqiptare
në Egjipt. Shok i Thimi Mitkos, Jani Vretos dhe Spiro Risto Dines, ai qe një nga anëtarët
themelues të klubit atdhetar në Shibin el Kôm më 1882 dhe i pari sekretar i saj. Kreji tregoi
interesim të madh për çështjen e alfabetit të shqipes dhe shkroi greqisht një traktat për këtë
temë. Asgjë nga poezia e tij nuk u botua sa qe gjallë. Një pjesë e saj, me tema tipike të
periudhës së Rilindjes, doli më pas në Valët e detit të Spiro Risto Dines, Sofje 1908.
Një tjetër poet i Rilindjes që jetoi në Egjipt ishte Loni Logori80 (1871-1929), me
prejardhje nga Korça, dajë i Milo Duçit (1870-1933). Vargu disi elegjiak me temë kombëtare
dhe poezia sentimentale e dashurisë e kësaj figure me autoritet në bashkësinë shqiptare të Nilit
u botua në Kalendari kombiar të Sofjes, në gazeta të kohës e në Valët e detit. Logori u kthye në
Shqipëri në fillim të viteve 1920 dhe vdiq në Durrës. Një poet minor i Rilindjes nga Shqipëria
e jugut ishte
Mihal Dhosi (1873-1937), prift i lindur në fshatin Kosovë të krahinës së Përmetit.
Dorëshkrimet e tij u zbuluan me vonesë, dhe një pjesë e vargjeve u botuan pas vdekjes në librin
Ç’pate bilbil, pse pushove, Tiranë 1972. Në të dallohen tema të zakonshme kombëtare të asaj
kohe, pa ndonjë frymëzim të veçantë.
Josif Haxhimima (l. 1882) nga Elbasani përdori shpesh pseudonimin Rras’ e Bardhë për vjershat dhe artikujt e botuar në Kalendari kombiar dhe në revistën Diturija. Ky poet studioi në Manastir e më pas punoi mësues në shkollën turke të qytetit të Elbasanit. Më 1915 e la mësuesinë dhe hyri në administratën juridike.
Gazetari Namik Selman Delvina (1875-1933) ishte autor lirikash patriotike dhe dramash, ndër to dhe i përmbledhjes poetike Hidhërimet e zemërës, Selanik 1909, dhe i pjesës teatrore me tetë akte Dashurija e mëmëdheut, Selanik 1909. Ka qenë edhe kryeredaktor i gazetës tiranase Rilindja e Arbënis më 1930. Nga Çamëria, krahina në kufirin shqiptaro-grek përballë Korfuzit, ishte
Qamil I. Çami (1885-1933), i cili mori pjesë aktive në lëvizjen kombëtare e më pas punoi si
mësues. Rrëfenjat dhe përrallat popullore të tij në vargje u botuan pas vdekjes në Fabula dhe
vjersha, Tiranë 1973. Të rrallë qenë shkrimtarët e periudhës së Rilindjes që ia kushtuan talentin
e tyre prozës.
Gjon Shiroka (vd. 1914) ishte përkthyes e publicist, lindur në një familje të kamur nga Shkodra. Përmendet për përkthimin e traktatit moral të Silvio Pellicos Ligjiratë mîi detyrat e trimit, Shkodër 1912 (Dei doveri degli uomini). E vranë më 30 gusht 1914. Shkrimtari
dhe studiuesi
Simon Shuteriqi ose Suteriqi (1883-1951) nga Elbasani ishte autor i një Abetare
shqipe, Manastir 1911; Varri i dashnorëvet, Manastir 1911; dhe Jetëshkrimi i Konstandin
Kristoforidhit, Manastir 1911.
Ramiz Harxhi (1892-1966) nga Gjirokastra ishte një poet i
periudhës së pavarësisë, po ta shohim ngushtë, por vargu i tij me frymë kombëtare është
thellësisht rilindës. Pasi bëri shkollën në Konstantinopojë, Harxhi emigroi në Shtetet e
Bashkuara dhe banoi në Masaçusets e në Nju Hampshir gjatë Luftës së Parë Botërore. Pas
gjashtë vjetësh mërgimi në Amerikë, u kthye i përmalluar në vendlindje duke marrë dhe një
detyrë në qeverinë e sapoformuar të pavarësisë. Poezia e tij modeste plot mall dhe dashuri për
Shqipërinë u botua së pari më 1914 e u përmblodh në vëllimin Ndjenjat e zemrës, Boston 1917,
me gjashtëdhjetë e një vjersha gjithsej. Ka shkruar edhe disa vargje sentimentale dashurie.
_________
78 kr. Godo 1964.
79 kr. Hudhri 1978.
80 kr. Fullani 1961.
Marrë nga “Historia e letërsisë shqiptare” e albanologut të shquar Robert Elsie
Portali Letërsia