FILMI VIZATIMOR
✤ Gjini e kinematografisë që mbështetet në shumëfishimin e njëpasnjëshëm të vizatimeve, kartonave, kukullave apo sendeve të tjera të fotografuara së bashku, e që gjatë projektimit japin lëvizjen në ekran. Përpjekjet e para eksperimentale në Shqipëri u bënë më 1975, kur u prodhua filmi me kartona «Zana dhe Miri». Më pas filloi prodhimi i filmave me teknikën e vizatimit dhe më vonë i filmave me teknikën e kombinuar me sende reale, etj. Nga 4-5 F.V. që prodhoheshin në fillim në Kinostudion «Shqipëria e re» (shih), më 1981 u prodhuan 10 filma dhe më 1983 16 F.V. të teknikave të ndryshme. Po këtë vit u prodhua dhe filmi i parë me kukulia «Zogu i vogël pushbardhë» nga V.Droboniku.
Duke qenë një gjini e veçantë që lejon të gjallërohen objektet e vizatuara, të krijohen skena, personazhe dhe ambiente fantastike, sot ky lloj filmi është mjaft tërheqës për spektatorin e vogël të cilit i drejtohen pothuaj gjithë F.V. Temat kryesore të F.V. shqiptarë janë jeta e sotme e fëmijëve, Lufta ANÇ dhe historia e popullit. Janë xhiruar edhe fabula popullore si dhe legjenda të eposit shqiptar. F.V. në përgjithësi janë të shkurtër, më i gjati ndër ta është «Pika e ujit».
Disa F.V. janë nderuar me çmime të para në festivalet kombëtare si «Pika e ujit» ( regjisor B.Kapexhiu, piktor V.Droboniku) etj. Në festivalet ndërkombëtare janë nderuar me çmime e medalje të ndryshme filmat «Zhgarravinat» (me çmim të parë), «Edi dhe nota katër», «Llustra llustra» etj.
(L.R.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Filmi Vizatimor