FLUORITI
✤ (CaF2). Mineral i fluorit, që përmban Ca=51,2°/o dhe F=48.8°/o. Zakonisht paraqitet në trajtë kristalesh të bukura, të mëdha, kubike. Ka fortësi 4, dendësi 3.18, ngjyrë të gjelbër, të bardhë dhe me nuanca vjollcë. Në dritën e diellit çngjyroset. Ka vetinë e fluoreshencës dhe fosforeshencës. F. është formuar nga tretësirat hidrotermale të temperaturave të ulëta. Përdoret në ind. kimike për prodhimin e preparateve të fluorit, në ind. e aluminit, si shtesë në çimento etj. Kristalet e tejdukshme përdoren në optikë, kurse llojet e ngjyrosura për prodhime artistike.
Në Shqipëri është gjetur vitet e fundit në nënzonën e Cukalit, në krahinën e Dukagjinit. Këtu trupat minerale, që kanë formën e hinkave përbëhen nga agregate të ngjeshura kokrrizore e nga druza kristalesh. F. gjenden midis gëlqerorëve të Kretakut të sipërm dhe mbulohen nga flishi i Paleogjenit. Përmbajtja e fluoritit në trupin xeheror ndryshon nga 20 deri në 95%. Shoqërues të tij janë kalciti dhe kuarci. (A.Gr.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Fluoriti
[cite]