FURIQI PETRO


FURIQI PETRO
✤ (1875-1936). Studiues arbëresh nga Salamina, që është marrë me çështje të toponimisë, të folklorit, të gjuhës e të historisë së ngulimeve shqiptare të Greqisë. Si kreu studimet filologjike në Universitetin e Athinës, shërbeu si mësues gjimnazi dhe, më pas, në Akademinë Greke të Shkencave, si redaktor në Fjalorin historik të greqishtes dhe si drejtor i Arkivit të Folklorit. Studimet e tij më të rëndësishme janë: Dialekti i shqipes së Greqisë në Atikë (1929), Kontribut në toponiminë e Atikës (1933). Botoi punime edhe për toponiminë historike të Moresë, për kohën e ardhjes së shqiptarëve në Peloponez për historinë e qytetit të Prevezës, etj.

P.F. ka dhënë njohuri të sakta për ligjërimet e shqiptarëve të Greqisë, botoi një tok përrallash popullore të mbledhura në 11 vendbanime, të cilat i shoqëroi me shënime gjuhësore. Ai ka bërë përpjekjen e parë edhe për grupimin e të folmeve shqipe të Atikës dhe ka përcaktuar toponimet shqipe të kësaj treve. P.F. ka shprehur mendimin se shqiptarët janë ngulur në More që në shek.X. Njohja mirë e të folmeve dhe e toponimeve shqipe të Greqisë dhe përgatitja e gjerë shkencore, e bënë P.F. figurë kryesore të albanologjisë në Greqi në vitet 20 e 30 të shekullit tonë.

(M.D.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Furiqi Petro


[cite]