GADISHULLI I QEFALIT
✤ Gadishull në bregdetin shqiptar të Jonit, në VP të qytetit të Sarandës me sipërfaqe 130 ha. Gjendet midis grykës së Pogodës (Pogajetës) ne V dhe grykës së Rojdhesë në JL. Shtrihet në drejtim të VP në një gjatësi 2.25 km. Është krejtësisht shkëmbor, i përbërë nga gëlqerorë të kretakut që ngrihen deri në lartësinë 140 m (në qendër të gadishullit). Vija bregdetare është shumë e thyer, e lartë, me gremina, guva e shpella si pasojë e gërryerjes së fuqishme detare. Në skajin VP të G. të Q. shtrihet kepi i Qefalit, një bllok shkëmbor i rrumbullakët me lartësi 25 m, që bie thikë mbi det. Thellësitë e ujërave rreth gadishullit janë të mëdha! G. i Q. është i veshur dendur me makje gjithnjë të gjelbra e aty-këtu me valanidh. (Me.K.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Gadishulli I Qefalit
[cite]