GAJTANI
✤ Vendbanim i fortifikuar ilir i kohës’ së hekurit mbi një kodër të veçuar në VI* të fshatit Gajtan 5 km në L të Shkodrës. Gërmimet janë bërë më 1961-62. Vendbanimi është rrethuar me një mur mbrojtës, i cili është ruajtur mirë në anën e J, në një gjatësi afro 90 m. Ai është ndërtuar me blloqe gurësh të mëdhenj e mesatarë të paskalitur e me lidhje të thatë. Ka gjerësi të përgjithshme 3.5 m, nuk ka kthesa e kulla. Janë ruajtur dy porta, prej të cilave ajo që përshkon murin jugor është 1.80 m e gjerë.

Shtresa më e hershme kulturore i takon bronzit të vonë e fillimit të epokës së hekurit. Kjo ndiqet nga shtresa kulturore e periudhës së hekurit të zhvilluar, gjatë së cilës vendbanimi ka pasur jetë intensive. Kësaj kohe i takojnë disa furra dhe shumë ene me trajta tipike të qeramikës ilire. Shtresa tjetër kulturore pas shek. IV p.e.r. vjen deri në kohën e vonë antike, kur ndërpritet edhe jeta në qytezën e G. Poshtë qytezës është zbuluar një varrezë e vogël e shek. III-II p.e.r. G. përfaqëson mjaft mirë vendbanimet ilire të fortifikuara me mure të epokës së hekurit, ndaj këto lloj vendbanimesh quhen të tipit të Gajtanit.

(M.Ko.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gajtani


[cite]