GJAKOVA
✤ Qytet, qendër e komunës me të njëjtin emër në KSA të Kosovës (shih). Shtrihet në pjesën JP të Rrafshit të Dukagjinit, në kryqëzimin e rrugës së mëparshme Shkodër-Kosovë (në antikitet njihej si Via de Zenta) me rrugën që përshkon qytetet kryesore të Rrafshit të Dukagjinit (Pejë-Gjakovë-Prizren). Sipas regjistrimit të vitit 1981 Komuna kishte 92.200 banorë, nga të cilët 87.450 (94,8%) janë shqiptarë. Megjithëse fragmentare, burimet dëshmojnë se Gj. ka qenë e banuar nga ilirë dardanë.

Deri më 1582 Gj. ka qenë një vendbanim i vogël, më 1662, në kronikat e udhëpërshkruesve të huaj përmendet si një qytet me 2000 shtëpi dhe 300 dyqane, ndërsa gjatë Rilindjes Kombëtare ishte qendër e rëndësishme e tregut të brendshëm shqiptar me rreth 1000 dyqane. Banorët e qytetit dhe të fshatrave përreth kanë luajtur rol të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit u shquan figura të tilla të kësaj treve si Sulejman Vokshi, Mic Sokoli etj. Edhe pas shtypjes së Lidhjes qyteti dhe malësia përreth mbetën vatra të kryengritjeve antiosmane deri në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe dhe deri në vdekje u dallua për veprimtarinë atdhetare udhëheqësi i masave popullore Bajram Curri (shih), që ishte gjithashtu gjakovar.

Në vitet 1912-1913 pas pushtimit të Kosovës e viseve të tjera nga ushtritë serbomalazeze dhe pas vendimeve arbitrare të Fuqive imperialiste në Konferencën e Londrës, Gj. u shkëput nga trungu amtar. Popullsia e kësaj treve ashtu si mbarë popullsia shqiptare e Kosovës dhe viseve të tjera iu kundërvu zgjedhës së re serbe. Në vitet 1918-1924 Gj. ishte qendra e degës më të rëndësishme ilegale të Komitetit «Mbrojtja Kombëtare e Kosovës», mbështetje e veprimtarisë së çetave të armatosura shqiptare që lufionin për çlirim dhe bashkim kombëtar. Pushtuesit serbë u përpoqën me çdo mënyrë të shkombëtarizonin e të sllavizonin popullsinë shqiptare të Gj. e të rretheve të saj. Deri më 1941 në Gj. e rrethinë, shqiptarëve iu ishin grabitur mbi 43.000 ha toke,. ku u vendosën 2583 familje koloniste. Mijëra shqiptarë u detyruan të shpërngulen nga vatrat e tyre.

Gjatë Luftës II Botërore banorët e Gj. dhe të rrethit të saj dhanë kontribut të shquar në lëvizjen nacionalçlirimtare. Një pjesë u inkuadrua në njësitet e para partizane kosovare «Zenel Hajdini», «Emin Duraku» etj. Në qytet gjatë viteve 1941-1943 u organizuan demonstrata masive antifashiste. Në Malësinë e Gjakovës u mbajt më 31 dhjetor 1943-2 janar 1944 Konferenca e Parë Themeluese e Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Gjatë Luftës ANÇ u shquan për veprimtari revolucionare dhjetëra gjakovarë, midis tyre heronjtë e popullit Hajdar Dushi, Emin Duraku, Sadik Stavileci etj. Në Gj. u formua Brigada e shtatë Kosovare në fillim me rreth 4000 partizanë, shumica e të cilëve ishin nga Gjakova dhe rrethi i saj. Qyteti u çlirua më 9 nëntor 1944 nga Brigada V e UNÇ të Shqipërisë dhe nga Brigada IV kosovare.

Pas v. 1945 gjendja ekonomike e Gj. ndryshoi shumë ngadalë. U ndërtua një objekt i ind. tekstile dhe një tjetër i asaj mekanike. Megjithatë. sipas të dhënave zyrtare jo të plota nga komuna e Gjakovës më 1981 gjendeshin si emigrantë ekcnomikë jashtë Jugosllavisë mbi 2600 veta. Në Gj. gjendet Shkolla e Lartë Pedagogjike.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gjakova


[cite]