GJEDHI
✤ (Bos taurus). Kafshë shtëpiake ripërtypëse e familjes brirëzgavrorë (Cavicornia) mjaft. e përhapur. Gj. i sotëm shtëpiak e ka prejardhjen nga Gj. i egër Ur (Bos taurus primigenius). Është kafsha kryesore në blegtori, përdoret për prodhimin e qumështit e të mishit, ndërsa qetë si kafshë pune në bujqësi. Racat e Gj. grupohen sipas specializimit në raca për mish, për qumësht dhe raca me prodhimtari të kombinuar. Në Shqipëri që në kohë të lashta është mbajtur Gj. i vendit, duke u shumëzuar kryesisht në mënyrë të pastër. Ky Gj. është i tipit brirëshkurtër (brachycerus) ka trup të vogël, me peshë rreth 200 kg, lartësi 102-103 cm, gjatësi deri 113 cm, me ngjyrë të qimes zakonisht të kuqe me nuanca të ndryshme, por mund të jetë edhe me ngjyrë të kuqe të larme ose të zezë. Prodhimtaria e qumështit 500-1000 kg në vit me rreth 4.5% yndyrë. Gj. i Shkodrës përfaqëson varietetin më të rnirë të vendit. Është i përhapur në zonën e Shkodrës e të Lezhës, ku deri vonë është përdorur si përmirësues i Gj. të vendit.

Pas Çlirimit me hyrjen e bujqësisë në rrugën e zhvillimit intensiv, u bë i nevojshëm përmirësimi gjenetik i Gj. të vendit, duke e kryqëzuar me raca të kultivuara kryesisht me Laramanen e Zezë (Ostfriz) me prodhimtari mesatare qumështi 4000-4500 kg në vit dhe me racën Xhersej (që jep qumësht me 4-6% yndyrë). Është zbatuar në shkallë të gjerë inseminimi artificial me teknikat më të përparuara të kohës dhe është shtuar me ritme të shpejta numri i krerëve. Në krahasim me v. 1950 më 1980 numri i krerëve është rritur 145% (shih: Lopa). Me përmirësimin e racave dhe mbarështrimin e Gj. merret Instituti i Kërkimeve Zooteknike (shih).

(Dh.Bo.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gjedhi


[cite]