GJILANI
✤ Qytet, qendër e komunës me të njëjtin emër në KSA. të Kosovës (shih). Qyteti është vendosur në një fushë pjellore, në pikën ku takohen vijat e komunikacionit të brendshëm të rajonit të Moravës. Sipas regjistrimit të vitit 1981 komuna e Gj. kishte 84 196 banorë, prej të cilëve 59 802 (71%) ishin shqiptarë. Rajoni i Moravës ka qenë banuar që në kohët më të lashta dhe vazhdoi të banohej pa ndërprerje edhe gjatë periudhës së sundimit serb e osman të mesjetës. Në dokumentacionin serb e osman, në udhëpërsbkrimet e udhëtarëve të ndryshëm përmendet Morava dhe kadillëku i Moravës në sanxhakun e Vuçiternës.

Qyteti i Gj. është themeluar në gjysmën e dytë të shek.XVIII, pasi pushoi jeta në qytetin mes.ietar të Novobërdës. Gj. u rrit dhe mori pamjen e një qendre të urbanizuar pas shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga Nishi, Leskovci e Vranja (1878) një pjesë e së cilës u vendos në këtë trevë. Popullsia e pellgut të Moravës dhe e qytetit ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme në luftën kundër sunduesve osmanë sidomos në kryengritjet e mëdha antiosmane të viteve 1910-1912 nën udhëheqjen e Idriz Seferit.

Më 1913 Gj. iu aneksua Serbisë. Pas Luftës I Botërore, ka qenë qendër rrethi, që për nga sipërfaqja e popullsia zinte vendin e dytë në Jugosilavi. Pushtimi serb u shoqërua me vendosjen në qytet e në rrethet e tij të familjeve koloniste serbe e malazeze, ndërsa një pjesë e popullsisë shqiptare, si rrjedhojë e shtypjes së ushtruar mbi të, u detyrua të shpërngulet për në Turqi. Në vitet e Luftës II Botërore Gj. dhe pjesa më e madhe e pellgut të Moravës hynë në zonën italiane të pushtimit, ndërsa pjesa tjetër nën sundimin bullgar. Qyteti me 11.600 banorë ishte qendër e nënprefekturës me të njëjtin emër.

Pas Luftës II Botërore komuna mbeti qendër bu.iqësore e blegtorale e pellgut të Moravës. Megjithëse nëntoka është e pasur me hekur, kaolin, magnez etj., në këtë komunë nuk janë ndërtuar objekte industriale të rëndësishme. Industria pak e zhvilluar, e përfaqësuar nga kombinati i tekstilit dhe ai i duhanit, nuk është në gjendje të thithë fuqinë punëtore që rritet vazhdimisht. Në fund të vitit 1983 në Komunë kishte rreth 6700 të papunë të regjistruar. Komuna ka numrin më të madh të emigrantëve ekonomikë në botën e jashtme në gjithë Krahinën. Gj. është edhe sot qendër e tërë pellgut të Moravës (e Vitisë e Kamenicës), ku janë përqendruar institucionet shëndetësore, kulturore, arsimore, linjat e komunikacionit etj. Në Gj. funksionon Shkolla e Lartë Pedagogjike.

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gjilani


[cite]