Gjymtyra e poshtme
Formimi i gjymtyrëve të poshtme është një proces që u krye në rrugën ë gjatë të evolucionit dhe shënoi atë periudhë të rëndësishme, kur njeriu u shkëput nga bota e kafshëve. Ecja drejt, duke u mbështetur vetëm te dy këmbët, ishte një dukuri që e lejoi njeriun të shikojë dhe të vrojtojë më mirë botën që e rrethonte dhe që i liroi krahët e tij, të cilët filloi t’i përdorë për të kërkuar ushqimin, për të punuar e për t‘u mbrojtur. Ndërtimi i skeletit të këmbëve është i ngjashëm me atë të krahëve. Edhe gjymtyrët e poshtme përbëhen nga pjesa e lirë dhe nga brezi. Brezi është i përbërë vetëm nga një kockë, që nyjëtohet me legenin dhe që merr pjesë në formimin e tij. Ndërsa pjesa e lirë përbëhet: nga kofsha, nga kërciri dhe nga këmba.
Skeleti i kofshës përbëhet nga një kockë e vetme, nga femuri, që është kocka më e gjatë e trupit të njeriut. Kërciri përbëhet nga dy kocka: nga tibia dhe nga mbërthyesi (fibula). Kofsha lidhet me kërcirin te gjuri, që është një nga nyjëtimet më interesante të trupit tonë. Përveç indeve lidhore, dejve e tendinave, në nyjëtimin e gjurit merr pjesë dhe një kockë e posaçme, në formën e një trekëndëshi, që emërtohet kupa e gjurit. Skeleti i këmbës ka pak a shumë po atë ndërtim që ka edhe dora dhe përbëhet: nga paratrina e këmbës, nga trina dhe nga falangat e gishtërinjve.