GREVAT DHE PROTESTAT ANTIFASHISTE


GREVAT DHE PROTESTAT ANTIFASHISTE
✤ Forma të luftës së punëtorëve, fshatarëve, intelektualëve, nxënësve të shkollave etj. gjatë pushtimit fashist, me kërkesa ekonomike dhe politike të gërshetuara, që kundërshtonin shfrytëzimin e egër, varfërinë, mjerimin si dhe përpjekjet e pushtuesit për vendosjen dhe forcimin e regjimit fashist në Shqipëri. Punëtorët e fabrikave, të minierave, të porteve, të kantiereve të ndërtimit të rrugëve dhe aerodromeve ndërprisnin ose braktisnin punën për një kohë të caktuar për t’i detyruar pushtuesit dhe kapitalistët e vendit që të përmbushnin kërkesat për shtimin e mëditjeve, pakësimin e orëve të shumta të punës, përmirësimin e kushteve të punës e të jetesës etj. Në vitet 1939-1942, në këto qendra pune janë zhvilluar mbi 40 greva e protesta me rreth 12.500 pjesëmarrës. Ndër grevat e protestat më të rëndësishme gjatë pushtimit italian kanë qenë ajo e punëtorëve që ndërtonin urën e Bënçës në Tepelenë, e punëtorëve të kantiereve italiane të ndërtimit të rrugës Peshkopi-Burrel dhe të rrugës Pukë-Kukës, greva e punëtorëve të firmave italiane që ndërtonin në Milot dhe në Përmet, e punëtorëve të Selenicës e të Kuçovës etj. Veprimet greviste të punëtorëve shqiptarë ndikuan në pjesën më të përparuar të punëtorëve italianë, të cilët disa herë u hodhën edhe ata në greva. Grevat vazhduan edhe gjatë viteve 1943 e 1944, nën pushtimin gjerman, si në sipërmarrjet e kapitalistëve të huaj ashtu dhe të pronarëve shqiptarë. Grevat e protestat u shoqëruan edhe me sabotime, si me shkatërrim të makinerive, djegje të lëndëve të para e të karburanteve etj.; në disa raste punëtorët organizuan edhe sulme të armatosura për shkatërrimin e kantiereve.

Fshatarët protestonin kundër detyrimeve të rënda, shpronësimit me forcë të tokave, grabitjes së prodhimeve bujqësore. Mbi të gjitha ata nuk duronin dot shtypjen e egër kombëtare. Në periudhën 1939-1940 janë të njohura sidomos protestat e fshatarëve të Kurveleshit, të zonës FierShegan, të fushës së Korçës, të zonës së Shijakut, të Vurgut të Delvinës, të krahinës së Pukës etj., që ngrinin zërin kundër padrejtësive të mëdha që u bëheshin. Pas themelimit të PKSH, nën udhëheqjen e organizatave të Partisë, fshatarët’U hodhën edhe në demonstrata të fuqishme për të kërkuar bukë, artikuj ushqimorë të nevojës së parë etj. Këto demonstrata i tronditën thellë pushtuesit e regjimin kuisling; të tilla u organizuan në Vlorë (shih: Demonstrata e bukës), në Gjirokastër, Berat, Elbasan etj.

Nxënësit e shkollave të mesme dhe mësuesit patriotë kundërshtonin futjen e programeve fashiste në shkolla, sabotonin ceremonitë zyrtare, përbuznin urdhrat për të nderuar në mënyrën fashiste. Patën jehonë të madhe veçanërisht grevat e protestat e nxënësve të gjimnazit të shtetit të Shkodrës, të institutit femëror në Tiranë, të lieeut të Korçës, të gjimnazit të Tiranës, të shkollës tregtare të Vlorës etj. Grevat e protestat e punëtorëve, fshatarëve, nxënësve e mësuesve antifashistë u shtypën egërsisht nga forcat fashiste, të cilat arrestuan, burgosën e internuan me dhjetëra pjesëmarrës të tyre.

Greva e protesta organizuan edhe të burgosurit politikë në burgjet e kampet fashiste të përqendrimit e të shfarosjes kundër kushteve çnjerëzore të jetesës, kundër torturave dhe mundimeve të egra, kundër vrasjeve e pushkatimeve në masë. Ndaj këtyre aksioneve xhelatët fashistë merrnin masa shtypëse barbare, por kurrë nuk mundën të mposhtnin qëndresën.

Grevat dhe protestat antifashiste në fillim organizoheshin e drejtoheshin nga grupet komuniste. Me themelimin e PKSH grevat dhe protestat antifashiste u shndërruan në demonstrata politike e patriotike që përfundonin me përleshje me fashistët italianë. Ato rritën në masat ndërgjegjen kombëtare, e forcuan luftën e përbashkët të punonjësve dhe i pasuruan ata me përvojën e luftës politike për çlirimin kombëtar dhe demokratizimin e vendit.

(H.R.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Grevat Dhe Protestat Antifashiste


[cite]