GURRA E PROGONATIT


GURRA E PROGONATIT
✤ Përrua në Malësinë e Kurveleshit, degë e djathtë e 1. të Bënçës, me gjatësi rreth 6 km, me luginë tipike karstike me pragje e ujëvara të shumta. Ka shtrat të ngushtë e të thellë në formë kanioni me gjerësi 6-10 m dhe thellësi që në mjaft raste i kalon 150 m e çan gëlqerorët e kretakut. G. e P. gjatë një pjese të mirë të rrugës së vet humbet nën tokë. Ujëvara më e madhe dhe më e bukur është ajo e Peshturës me lartësi të përgjithshme 25-30 m. E gjithë ujëvara ndahet nga dy pragje të vegjël. Në fillim ujët bie nga një lartësi 10-12 m, pastaj bën një rrugë të shkurtër 2-3 m horizontalisht për të rënë në pragun e dytë 12-15 m. Që këndej lumi ndahet në dy degë. Dega e majtë ka çarë shkëmbin duke formuar një «urë» të gurtë karakteristike.

(F. Kr.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gurra E Progonatit


[cite]