HARTA HIDROGJEOLOGJIKE E SHQIPËRISË


HARTA HIDROGJEOLOGJIKE E SHQIPËRISË
✤ (1984). Hartë në shkallën 1:200.000 që paraqet karakteristikat kryesore të ujërave nëntokësore si përhapja, sasia e cilësia, në lidhje të ngushtë me shkëmbinjtë që ndërtojnë truallin e Shqipërisë. Si bazë për përpilimin e saj shërbyen punimet e shumëllojshme hidrogjeologjike që janë kryer për studimin dhe shfrytëzimin e ujërave nëntokësore të vendit, si: rilevimet hidrogjeologjike në shkallë të ndryshme për të gjithë truallin e Shqipërisë, rreth 2500 shpime për ujë, vrojtimet për regjimin e ujërave nëntokësore, analizat e shumta kimike etj.

Në H. H. të Sh, me shenja të ndryshme tregohet përbërja litologjike e shkëmbinjve, ndërsa me ngjyra jepen fushat e përhapjes së llojeve të ujërave nëntokësore, si: ujëra nëntokësore në shkëmbinjtë porozë, në shkëmbinjtë e ngjeshur dhe në ata joujëmbajtës etj. Jepen edhe shumë të dhëna të tjera me karakter hidrogjeologjik, hidrologjik dhe gjeologjik, si p.sh. mbi 3500 burimet kryesore të ujërave natyrore të Shqipërisë, të klasifikuara simbas madhësisë së tyre; vendet e ujërave nëntokësore, drejtimi i lëvizjes së tyre, zonat me ujëra arteziane, si dhe ato me ujëra të kripura (të papijshme). Janë paraqitur gjithashtu ujërat minerale, veprat ujëmarrëse, të dhëna mbi prurjet e lumenjve, pellgjet ujëmbledhëse të tyre etj.

(R. E.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Harta Hidrogjeologjike E Shqipërisë


[cite]