HARTOGRAFIA


HARTOGRAFIA
✤ Shkenca që merret me paraqitjen e objekteve dhe dukurive të natyrës e të shoqërisë në harta, si dhe mënyrat e përpilimit të tyre. Përfshin teorinë e projeksioneve hartografike, teorinë e paraqitjes dhe teknologjinë e përgatitjes së hartave. Lidhet ngushtë me gjeodezinë (shih) dhe gjeografinë (shih) dhe u shërben degëve të ndryshme të ekonomisë, mbrojtjes, kulturës etj.

Para Çlirimit H. nuk ishte e zhvilluar në Shqipëri. Të gjitha hartat e përpiluara për trevat shqiptare botoheshin jashtë. Pas Çlirimit u ngrit shërbimi hartografik, për përpilimin dhe hotimin e planeve dhe të hartave topografike (shih). Një punishte e ngritur më 1946 nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës u bë më 1958 bërthama e repartit hartografik pranë ndërmarrjes së mjeteve mësimore, kulturore e sportive «Hamid Shijaku* në Tiranë. Gjatë viteve 1946-1958, u botuan mjaft harta të rretheve të vendit, harta fizike e Shqipërisë në shkailë 1:300.000, atlasi i parë gjeografik i Shqipërisë për shkollat, globi i parë gjeografik etj.

Në vitet 1959-1970 u botuan 100 harta me tematikë e shkallë të ndryshme, ndërmjet të cilave harta fizike dhe ajo ekonomike e Shqipërisë, atlasi gjeografik i Shqipërisë, ai i Luftës ANÇ etj., u vunë mbi baza shkencore studimet dhe punimet hartografike. U përgatitën edhe kuadrot e parë të lartë për H. nga Dega e Gjeodezisë e Fakultetit të Inxhinierisë. Në vitet e mëvonshme u prodhuan harta me tri përmasa me lëndë plastike, u futën gjerësisht në teknologjinë e botimit të hartave metodat bashkëkohore. Veç hartave shkollore të botuara e të ribotuara, u botuan edhe mjaft harta tematike për fusha të ndryshme të natyrës e të ekonomisë së vendit, si harta gjeologjike e Shqipërisë, harta tektonike e Shqipërisë, harta ekonomike e Shqipërisë, harta e kafshëve dhe e shpendëve të gjuetisë, harta e tokave, harta e pyjeve të Shqipërisë etj. (A. She.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Hartografia


[cite]