HISTORIA E KOSTUMEVE DHE E MODËS NЁ SHQIPËRI

Lindja e veshjeve popullore në Shqipëri

 

Gjithmonë duhet ditur se zhvillimi i veshjeve ka ecur paralelisht me zhvillimin shoqëror, historik e kulturor të njeriut, duke patur si qëllim kryesor mbrojtjen e komoditetin e trupit dhe pastaj zbukurimin e pjesëve të veçanta.

Gradualisht në proçesin e zhvillimit të shoqërisë njerzore u krijuan veshje në përshtatje me stinën, me seksin, me rastin kur përdorej, me moshën, profesionin si dhe shtresën shoqërore. Të gjitha këto kanë krijuar atë pasuri e larmi të madhe veshjesh. Ashtu si të gjithë popujt e botës edhe shqiptarët, ndonëse të vegjël në numër, e kanë këtë begati kulturore. Me kohë u krijuan edhe tipet etnike të veshjeve popullore shqiptare. Shijet estetike të përdorura për zbukurim, por edhe mënyra e stilimit janë ato që pasqyrojnë veçanti etnike. I gjithë zhvillimi i veshjeve, është i lidhur ngushtë me historinë e zhvillimit te kjo popullsi, për pasojë edhe me historinë  e popullit shqiptar.

Elemente më të hershëm të veshjeve konsiderohen llojet e shalleve që hidheshin krahëve, brezat, përparjet, strukat (si kapuçonë), lëkurët e kafshëve të egra etj. Si dëshmi për mënyrën ë përgatitjes së tyre janë llojet e fibulave, boshtet e përdorura për tjerrje, peshat e avlëmendeve etj. Me kalimin e kohës pjesët e veshjeve dhe materialet e përdorura për përgatitjen e tyre u shtuan dhe u pasuruan më tej.

Për veshjet popullore shqiptare mund të flitet pas formimit të kombësisë shqiptare. Siç dihet formimi i bashkësive ekonomike e kulturore tek shqiptarët filloi në shek. XII me Principatën e Arbërit. Më pas pasuan të tjera, e kështu gradualisht muarën zhvillim të fuqishëm te qëndrave. Në kohën e formimit të principatave feudale, filluan të marrin pamjen e tyre edhe veshjet popullore. Siç dihet këto principata ishin të ndara e të mbyllura në vetvehte, çka bëri të krijohej edhe ajo larmi e pasurisë së  kostumeve popullore, gjurmët e të cilave u ruajtën deri në shek. XX. Por dallimet janë edhe rezultat i proçeseve kulturore, që ndodhën pas pushtimit turk. Një kategori popullsie e cila përqafoj fenë muslimane ra më shumë nën ndikimin e kësaj kulture. Nderkohë dallimet u krijuan edhe nga krijimi i shtresave të ndryshme shoqërore si dhe nga krijimi i profesioneve të ndryshme. Megjithatë duhet theksuar se pavarsisht nga ndikimet e kulturave përendimore e lindore (për shkak të pozicionit gjeografik të Shqipërisë dhe kushteve të zhvillimit historik) apo dallime klasore, tipologjia e hershme e veshjeve popullore shqiptare nuk ka asgjë të përbashkët me ato të huajat.

Pjesën më të madhë të veshjeve masat e gjera fshatare i përgatisnin brenda ekonomisë familjare, pra të endura e të qepura me pëlhura liri, leshi, pambuku e më pak prej mëndafshi. Ndersa në qytet, krahas pjesëve të endura në avlëmend, shpesh një pjesë e mirë e veshjeve qepeshin e qëndiseshin nga mjeshtrit rrobaqepës e qëndistare të specializuar sipas shijeve e kerkesave të ndryshme të popullsisë.

Koleksionet muzeale për veshjet popullore shqiptare kanë filluar të krijohen mbas  Luftës së Dytë Botërore. Para kësaj përiudhe kanë ekzistuar koleksione të vogla private, të grumbulluara nga priftërinjtë françeskanë (rreth 300 objekte), Aktualisht në fondet muzeale të Insitutit të Kulturës Popullore ruhen mbi 18 mijë pjesë veshjesh të marra nga krahina të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Tipet kryesore të veshjeve popullore shqiptare për burra janë: kostumi me fustanellë, kostumi me këmishë të gjatë e dollamë (cibun), sipër kostumi me tirq dhe ai me poture (pantallona të shkurtra deri te gjuri). Pra, në Shqipëri, burrat kanë mbajtur si veshjet në formën e një fundi të gjerë, ashtu edhe ato në formë pantallonash, por të parat kanë dalë nga përdorimi më herët se të tjerat. Pjesët më të zbukuruara ishin jelekët  dhe xhamadanët e kostumit festiv. Burrat shqiptarë mbanin edhe stoli të ndryshme argjendi, si qostekë gjoksi, sumbulla dekorative tek jelekët, unaza, pipa e kuti cigaresh, por mbi të gjitha, armët e brezit e të krahut, që ishin gjithnjë të stolisura pasurisht.

Për gra, tipet kryesore të veshjeve, ishin: kostumi me xhubletë (një fund në formë këmbane), kostumi më këmishë të gjatë e xhokë shajaku sipër, kostumi me dy futa të vendosura mbi këmishën e gjatë, njëra përpara e tjetra prapa dhe kostumi me mbështjellëse (një fund i hapur, i mbledhur tek beli me rrudha ose pala).

Në veshje, ngjyrat e zbukurimet ndryshonin simbas moshës. Për të vegjëlit e të rinjtë, kostumi krahinor mund të ishte më i thjeshtë. Ndryshe nga popuj të tjerë të Ballkanit, në Shqipëri, vajza që kishte arritur moshën e martesës, duhet të vishej thjeshtë e pa stoli, flokët t’i mbulonte mirë me një shami dhe të mos vishte rrobë të kuqe. Kostumi i martesës ishte varianti më i pasur i veshjes së krahinës, si për nuset edhe për dhëndurët. Për nuset, stolitë metalike ishin të pamungueshme, madje, përdoreshin edhe me tepri, sepse këtu, me sa duket, kishte rendësi jo vetëm funksioni i tyre estetik, por edhe funksioni magjik që u atribuohej. Për nuset, rëndësi të veçantë kishte zbukurimi i kokës. Disa vjet pas martese, veshja fillonte të lehtësohej nga zbukurimet.

Në veshjet popullore, shenjat e zisë ishin të pakta, gratë mund të vishnin praptas ndonjë nga pjesët më të zbukuruara të kostumit, psh. xhokën a përparjen.Studimet e deritanishme, kanë treguar se pjesët përbërese të veshjeve tradicionale, nuk kanë të gjitha të njëjtën moshë. Ka pjesë, që të kujtojnë veshjet mesjetare, me ndikime bizantine e orientale, të tjera që vijnë si një jehonë e kohës antike, por ka edhe elementë, që mund të lidhen me kulturën ilire. Mund të përmendim kështu analogjitë e verejtura midis linjës popullore dhe “dalmatikës” ilire, apo midis kapuçave, strukave (shalleve), opingave, etj. dhe elementeve respektivë, të përdorur nga ilirët. Falë këtyre elementeve të trashëguar nga kultura ilire dhe ajo e arbërve të mesjetës, gjatë zhvillimit të tyre historik, veshjet popullore kanë arritur të fitojnë një varg tiparesh origjinale, që marrin vlerat e një treguesi etnik, i cili i dallon veshjet shqiptare nga ato të popujve të tjerë.Ne klasifikimin e veshjeve popullore që paraqitëm më siper,nuk jane përfshirë veshjet e modës qytetare,të cilat patën hyrë në vendin tonë nga shtetet e tjera.  Këto ndikime  hynin së pari në disa shtresa të caktuara te popullësisë qytetare, të cilat kishin takime të drejtëpërdrejta me kulturat e huaja dhe pastaj përhapeshin edhe në shtresa të tiera. Këto veshje kishin ndikime të dukshme të modës së huaj, kryesisht asaj orientale, që qarkullonte pothuaj në të gjithë qytetet kryesore të vendeve Ballkanike, gjatë 3-4 shekujve të pushtimit turk. Në veshjet e burave ky ndikim ka qënë më i kufizuar në krahasim me veshjet e grave. Një faktor që e ka penguar këtë ndikim në veshjet e burrave ka qënë kostumi me fustanellë, i cili me shkëlqimin dhe pamjen madhështore që kishte, arrinte të plotësonte kërkesat e burrave qytetarë edhe në shtresat më të larta.

 

Evolumi i modës në Shqipëri pas Luftës së II Botërore

Pas luftës së dytë botërore kostymi qytetar për gra e burra ishte transformuar nën ndikimin e drejtëpërdrejtë të zhvillimit ekonomik e shoqëror. Ishte larguar nga veshjet popullore, të cilat vazhdonin të mbaheshin ende në zona të ndryshme të vendit, sigurisht në faza të evoluara, në përshtatje me mundësitë e tregut dhe me gjëndjen shoqërore të tyre. Gjatë periudhës postkomuniste veshjet janë realizuar nëpër N.P.V-të që ishin kryesisht për përdorim të brëndëshëm. Me ardhjen e demokracisë edhe veshjet pësuan ndryshime të mëdha. Rrobaqepësit u kthyen në stilistë, duke punuar në mënyrë të pavarur nga njëri tjetri. Fillimisht u punua në shtëpi dhe më pas në atelje të mirëfillta shqipëtare. Në këto atelje punohej me porosi të klientëve e më vonë u ingranuan dhe në sfilata tëndryshme. Në vendin tonë njihen shumë stilistë me emër, që kanë bërë karierë në evolimin e modës në veshjet shqipëtare, si Mirela Nurçe, Ardi Asllani, Rezarta Skifteri, Denada At’Nikolla, Jona Muço, etj.

Ka vite të tëra që realizojë veshje dhe stilime për klientët e tyre, mes të cilëve do të dalloheshin njerëzit e ekranit, të festivaleve apo këngëtarët më në zë të skenës shqiptare, por nuk do të veçoheshin absolutisht edhe njerëzit e thjeshtë, të cilët nuk kanë lidhje me jetën në skenë.

Në industrinë e modës këta stilistë kanë arritur gjithmonë të knë sukses, edhe pse bëhet fjalë për një art të vështirë. E nëse do të flisnim për kushtet në Shqipëri, arti i modës do të bëhej akoma më i vështirë. Megjithatë këta ia kanë dalë mbanë.

Falë përvojës shumëvjeçare si brenda dhe jashtë vendit kanë ditur të përshtasin idetë e larmishme të stilit europian dhe botëror, modës klasike italiane e të krijojnë suksesin e tyre personal, duke u rritur dita ditës profesionalisht.

Përgatiti
Adriana Cibaj Zeko

[cite]
Comments
All comments.
Comments