Rëndësia e kultivimit të perimeve dhe vlerat e përdorimit të tyre

 

Perimet janë të rëndësishme në të ushqyerit e njerëzve. Larmia dhe prania e tyre gjatë tërë vitit kontribuon për shfrytëzim të vazhdueshëm në ushqim. Perimet përmbajnë sasi të vogël lëndësh ushqyese 5-35% dhe sasi te madhe uji 65-95%. Por, ato përmbajnë yndyra, albumina, karbohidrate, kripëra minerale dhe vitamina të domosdoshme në ushqimin e njeriut.Perimet sigurojne rreth 12% nga vlera energjetike në ushqimin. Karbohidratet janë në formë të monosakarideve, disakarideve, polisakarideve, kitine, celuloze hemiceluloze, paraqesin burim të energjisë, por marrin pjesë edhe në proceset e caktuara metabolike. Albuminat janë të pakta, por janë shumë të rëndësishme.Ato me prejardhje bimore janë të rëndësishme për ndërtimin e qelizave Në 1gr albumina ka 16,8J energji. Yndyrat janë në formë të acideve yndyrore të ngopura dhe të pangopura. Vitaminat janë veçanërisht në fruta dhe perime. Perimet përmbajnë të gjitha vitaminat në veçanti vitaminën C, betakarotina dhe vitaminat nga grupi B.Përmbajtja e vitaminave është e ndryshme dhe varet nga lloji i perimeve. Lëndë minerale janë të larmishme me rreth 50 elemente.Përmbajtja varet nga lloji dhe mënyra e kultivimit të perimeve. Në perime gjendet Ca, Mg, He, K, P dhe minerale të tjera. Vajrat eterike i japin perimeve aromë dhe shije specifike. Në ushqim mundësojnë shfrytëzim më të mirë të ushqimit. Ato mund të kenë edhe veprim fitocid. Perimet mund të përmbajnë edhe lëndë të dëmshme, siç janë oksalatet dhe nitratet. Këto lëndë kur hyjnë në trupin e njeriut shkaktojnë dëmtime shëndetësore. Perimtaria ka lidhje me degt të tjera të bujqësisë. Perimtaria dhe prodhimi bimor janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe shpesh në praktikat bujqësore të kultivimit të bimëve, organizohen mbjellje alternative e kulturave të bimëve të arave me përfshirjen e perimeve.

 

Kërkesat e perimeve ndaj kushteve të mjedisit

 Në kultivimin e perimeve ndikojnë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Faktorët e brendshëm janë të kushtëzuar nga karakteristikat biologjike të bimës, dhe quhen faktorë gjenetik. Faktorët e jashtëm janë faktorë të cilët ndikojnë në kultivimin dhe prodhimin e kulturave perimore.Ata ndahen në:

Faktorë klimatik në të cilët hyjnë drita, nxehtësia, lagështia dhe ajri dhe kanë ndikim të madh mbi vetitë biologjike të bimëve dhe kushtëzojnë kultivimin e kulturës së caktuar në një rajon të dhënë. Drita është e nevojshme gjatë gjithë periudhës së vegjetacionit të bimës.Burimi kryesor i dritës është dielli.Bima e shfrytëzon dritën si burim të energjisë për asimilimin e CO2 në procesin e fotosintezës. Nxehtësia është e doemosdoshme për rritjen, zhvillim dhe frutifikimin e perimeve.Nxehtësia është e nevojshme në të gjitha fazat e rritjes dhe zhvillimit të bimëve.Kemi tri nivele të temperaturës: minimale, optimale dhe maksimale. Lagështia luan rol të madh gjatë kultivimit të perimeve, për shkak të zhvillimit cekët të sistemit rrënjor; përmbajtjes së lartë të ujit;shpenzimit të madh të ujit gjatë kohës së vegjetacionit;

Ajri ndikon në rritjen, zhvillimin e perimeve, është përzierje e gazrave dhe përbëhet nga 78% N, 21%, 0,03% dhe rreth 1% gazra të tjerë. Për bimët rëndësi të madhe kanë O2, CO2 dhe N.

Faktorët tokësor ku hyn toka me gjithë elementët e saj.Faktori “tokë” ka ndikim direkt gjatë gjithë periudhës së vegjetacionit. Mbi prodhimin e perimeve ndikojnë tipi i tokës, pjerrësia e terrenit, ekspozimi i terrenit, niveli i ujit nëntokësor, vlera e pH-së tokës, përqëndrimi i tretësirës së tokës dhe faktor të tjerë.

Faktorët agroekonomikë: Perimtaria është degë e prodhimit intensiv dhe është e domosdoshme që prodhimi të jetë i mirëorganizuar. Për organizimin e suksesshëm të procesit prodhues është e rëndësishme njohja e faktorëve të cilët ndikojnë mbi procesin.Këto faktorë janë: tregu, fuqia punëtore, mjetet bazë dhe factor të tjerë.

Faktorët agroteknik: për prodhimin e perimeve ekzistojnë mundësi për zbatimin e proceseve të mekanizuara dhe përdorimin e mjeteve të mekanizuara nga universalet traktori, plugu, disku, freza,  kultivatori etj., deri te specialet si kombajna per vjeljen e domateve, bizeles dhe makina të tjera për shkuljen e zhardhokëve apo ftytrrënjorëve të tjerë, si dhe për seleksioninin dhe pastrimin e prodhimit.

Elementët ushqyes: Nevojat për lëndë ushqyese varen nga mënyra dhe drejtimi i prodhimit Raporti në të cilin gjenden makroelementet dhe mikroelementet janë shumë të rëndësishëm. P.sh. sasia më e lartë e N në tokë nga ajo që është e nevojshme, sjell zvogëlimin e përmbajtjes së vitaminave, sheqernave dhe lëndës së thatë dhe rritjen e nitrateve të lira nëe bimët që janë të dëmshme për ushqimin e njeriut. Mikroelementet kanë rol të rëndësishëm në proceset metabolike të bimëve, më të rëndësishëm për perimet janë: Fe, Mo, B, Cu dhe Zn.

 

Klasifikimi dhe shtimi i perimeve

Nga numri i përgjithshëm i botës bimore perimet përbëjnë një numër fare të vogël, por në vetvete ato përbëjnë një grup të madh. Tek ne kultivohen shumë lloje perimesh edhe pse kushtet klimatike dhe tokësore mundësojnë kultivimin e shumë më tepër llojeve të ndryshme të perimeve. Perimet dallohen sipas veçorive biologjike dhe morfologjike. Kërpudhat sipas karakteristikave të tyre biologjike dhe mënyrës së prodhimit dallohen shumë nga perimet. Perimet dallohen edhe sipas pjesëve të bimëve të cilat përdoren për ushqim. Klasifikimi i perimeve mundëson studimin më të lehtë të tyre. Perimet klasifikohen sipas:

Veçorive botanike perimet janë bimë angjiosperme/farëveshura:

  • Klasa Monokotiledone (Fam. Aliaceae),
  • Klasa Dycotledone (Solonaceae, Cruciferae, Fabaceae, Umbelliferae, Malvaceae, Chenopodiaceae, Cucurbitaceae, Asteraceae)

Pjesës që përdoret për ushqim i grupon në:

  • gjethore sallata, spinaqi etj;
  • frytore speci, domatja, shalqini etj;
  • frutrrënjore karota, qepa, pangjari i kuq etj;
  • lulore e tyre lule lakra, brokoli, artiçoka etj;
    • bistak asparagu/shpargu etj;
    • bulb e thelbinj qepa, hudhra;
    • fara fasulja, bizelja, batha etj;
    • sporembartës kërpudhat;

Ciklit jetësor i grupon në 1, 2 dhe shumëvjeçare.

 

Shtimi i perimeve

Perimet shtohen me farë dhe fidanë. Shtimi me farë bëhet me dorë ose me makineri dhe konsiston në mbjelljen e sipërfaqeve të mëdha 4-8ha për një kohë të shkurtër. Sistemi rrënjor i kulturave që shtohen direkt me farë zhvillohet më në thellësi dhe bima nuk ka strese ujore, ka cikël më të gjatë kultural. Në fazat e para të rritjes lind nevoja e ndërhyrjeve për rrallim, t’harrje të barave të këqija etj. Zbatimi para mbjelljes i teknikave si: kalibrimi, veshja e farës, kryerja e teknikave të parambirjes, etj, ndikojnë në përmirësimin dhe uniformizimin e mbjelljes dhe mbirjes edhe në specie me fara të parregullta dhe të vogla si karrota, finoku, qepa, domatja etj. Përdorimi i farave të kalibruara ose të preçizuara (të seleksionuara në bazë të dimensioneve) siguron një uniformitet të lartë mbjelljeje dhe mbirjeje. Kalibrimi dhe numërimi i farave konsiston në përdorimin më të mirë të tyre dhe në vlerësim të nevojave për të trajtuara për mbjellje.Kjo pasi farat hibride prodhohen me kosto të lartë dhe tregëtimi i tyre bëhet në bazë të numrit të tyre ose në bazë të peshës. Shpeshtësia dhe % e mbirjeve varen nga një sere faktorësh si specia, varieteti dhe kushtet klimatiko-tokësore. Veshja bëhet me material të ndryshme si argjil ose vermikulit, i cili lehtëson mbirjen e farave në kushte lagështire nën optimalen. Cilësia e farës përcaktohet përmes vlerësimit të karakteristikave të jashtme si: madhësisë, formës, ngjyrës, peshës, aroma, mbushja e farës me lëndë ushqyese e etj. Pastërtia e farës shpreh në % raportin midis peshës së farave të shëndosha të kulturës bazë ndaj peshës së gjithë mostrës që analizohet. Energjia mbirëse shpreh % e farave të mbira të cilat mbijnë në ditët e para të përcaktuara për energjinë mbirëse të farës. Temperatura është faktor i rëndësishëm për të siguruar mbirje të menjëhershme në kushte optimal edhe të lagështisë së substraktit. Mbirja realizohet në kushte optimal të temperaturës. Lidhur me lagështinë e substraktit ka grup speciesh që mbijnë mire në kushte të një lagështie p.sh.:kungulli, speci; preferojnë lagështirë të lartë siç është sallata, selinoja; preferojnë  kushte të ndërnjetme lagështiep.sh.: kastraveci, fasulja etj. Për të shkurtuar periudhëne  mbirjes së farave bëhet “parambirja” së tyre me anë të njomjes së farave.

Shtimi i perimeve me fidanë lejon të përcaktohet më drejt cikli kultural dhe marrja e prodhimit më herët. Cikli i një kulture të mbjellë me fidanë është më i shkurtër se ai me farë. Sipas kësaj mënyre eleminohen problemet e mbirjeve të dobëta e të rralla. Kjo mënyrë shtimi lejon të arrihet një uniformitet më i madh i rritjes. Mangësi të mbjelljes me fidanë janë: kosto e lartë por e doemosdoshme për përgatitjen e farishtes dhe fidanëve, problem me rrënjëzimin e fidanit në fushë.

Fidanët prodhohen nga metoda të shumta. Metoda tradicionale bazohet në përdorimin e shtretërve të nxehtë dhe farishteve në fushë të hapur për të prodhuar fidanë pa bukë dheu. Por fidani i prodhuar me bukë dheu ka nxitur kërkimin e metodave të mekanizueshme dhe me kosto të ulët dhe zhvillimin e perimoreve të specializuara në gjendje për të kënaqur një treg gjithnjë në zgjerim.

Shtimi vegjetativ bëhen me anë të organeve vegjetative dhe pjesë të ndryshme të bimës si:rrënja, kërcelli, bulbi, tuberi, rizoma, thelbinjtt, fidanet etj. Materiali vegjetativ i cili shfrytëzohet për shtim e perimeve quhet “material mbjellës”. Në shtimin vegjetativ bën pjesë edhe shtimi me shartim.Shtimi me shartim me kalem ka marrë një përhapje të madhe edhe në Shqipëri për kulturat e shalqirit dhe pjeprit. Ekziston edhe shtimi me klonim kryesisht shtimi “in vitro” (kultura e indeve). Kjo mënyrë e prodhimit është posaçërisht e mirë pë prodhimin e materialit mbjellës pa virus.

 

 

[cite]
Comments
All comments.
Comments