HORMONET
Gjëndrat endokrine kontrollojnë organe e funksione të caktuara të organizmit. Këtë detyrë ato e kryejnë nëpërmjet hormoneve. Shumica e hormoneve janë lëndë proteinore me ndërtim të ndërlikuar. Ato përmbajnë në vetvete «udhëzime» të caktuara për veprimtarinë e organeve të ndryshme.
Studiuesit i kanë quajtur hormonet udhëzues të organizmit, që qarkullojnë me anë të gjakut. Në fakt, nëse në një organ vjen me anë të gjakut një hormon i caktuar, atëherë ky organ, nëpërmjet disa karakteristikave të këtij hormoni, merr «udhëzime» të posaçme nëse duhet të rritë ose të ulë veprimtarinë e tij, të shtojë ose të pakësojë prodhimin e një lënde të caktuar etj. Kështu, p.sh., hormoni insulinë që prodhon gjëndra e pankreasit, kontrollon e rregullon sasinë e glukozës që duhet të qarkullojë në gjak.