Hunët e krishterë

Hunët e krishterë

Popullsia hune kishte mundur të njihej me krishterimin, prej misionarëve bizantinë gjatë lëvizjes së tyre drejt Danubit. Kryeepiskopi i Moravisë, Metodi, gjatë udhëtimit misionar u takua me shumë hunë. Sipas jetëshkrimit të Metodit, mbreti i hunëve kishte shprehur dëshirën ta takonte. Pati zëra që të mos shkonte sepse mbreti do ta torturone, por ndodhi e kundërta. Ai e priti me nderime Metodin, duke i thënë: “Atë i nderuar, kujtomë edhe mua në lutjet e tua”. Këto fakte tregojnë për një konvertim shkallë-shkallë të hunëve në krishterim gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit IX. kur hunët u mundën nga ushtritë bizantine të Kostandinit VII Profirogjenitit (912-959), dy nga udhëheqësit e tyre, Bulish dhe Gjula, në vitin 950 u pagëzuan në Kostandinopojë. Kur u kthyen në atdhe morën me vete edhe Episkopin Jerothe, i cili u dorëzua nga patriku i Kostandinopojës Theofilakti në vitin 933-956 si Episkop i Hungarisë. Vajza e Gjulës, Sarolta, u martua me princin Gjeza dhe në suitën e saj mori me vete shumë priftërinj. Megjithëse Gjeza mbeti pagan ai nuk e pengoi gruan e tij të përhapte krishterimin. Pas vdekjes së Gjezës në vitin 997 në fron hipi Stefani (997- 1038), i cili ndërmori hapin vendimtar për konvertimin e popullsisë hune në krishterim. Ai vendosi ritin në gjuhën latine duke organizuar kishën e Hungarisë sipas modelit perëndimor. Të dërguarit e Stefanit vajtën në Romë te papa Silvestri II (999-1003) dhe i shpunë stemën mbretërore për ta bekuar. Papa në Krishtlindjet e vitit 1000 e shpërbleu Stefanin me titullin Mbret apostolik. Stefani krijoi dhjetë episkopata dhe shumë manastire, duke bashkuar në sundimin e tij të gjitha fiset hune, të cilat vite më vonë formuan popullin hungarez.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Andrea Llukani, Kristjanizimi i hunëve, Ngjallja, maj 2001, faqe 4.

Besimi — Ortodoks

[cite]