INDUSTRIA MINERARE
✤ Degë e ind. së rëndë, që përfshin nxjerrjen dhe përpunimin e parë të xeherorëve për prodhimin e kromit, bakrit, qymyrit, hekur-nikelit etj. U zhvillua si degë e rëndësishme e ekonomisë në vitet e pushtetit popullor. Para Çlirimit kishte 5-6 miniera të vogla, që jepnin pak prodhim, disa pronë e shoqërive të huaja. Punimet bëheshin me krahë, pa studime paraprake gjeologjike dhe projekte teknike, shfrytëzimi ishte grabitqar. Kushtet për punëtorët ishin shumë të rënda, nuk kishte masa sigurimi e ajrimi. Gjatë Luftës II Botërore pushtuesit italianë e gjermanë u përpoqën të shfrytëzonin pasuritë minerare dhe gjatë tërheqjes shkatërruan pajisjet, si në Selenicë, Rubik, Mborje-Drenovë.
Në vitet e para pas Çlirimit (1944-1950) minierat u shtetëzuan dhe u rimëkëmbën, më 1946 filluan prodhimin miniera e Memaliajt dhe e Priskës; u zgjeruan minierat e Rubikut e Selenicës, nisi hapja e minierës së Bulqizës. U bënë hapat e parë për mekanizimin, u ndërtuan disa teleferikë, u fut ajri i ngjeshur. Më 1950 nxjerrja e qymyrit u rrit mbi 11,3 herë kundrejt 1938, e bakrit blister 20,4 herë kundrejt 1946, u shtua eksporti i mineraleve. Në periudhën 1951-1960 u morën masa për intensifikimin e punimeve gjeologjike, për përmirësimin e teknologjisë dhe mekanizimin e punimeve. U ndërtuan sektorë të rinj në minierat ekzistuese dhe u hapën të reja. Në Kërrabë e Memaliaj u vendosën makinat prerëse të qymyrgurit (1954), u hapën punimet e para të pjerrëta, në punimet horizontale nisi përdorimi i armaturave prej betoni, në Kurbnesh u hap karriera e parë e mekanizuar, më 1959-1960 u hapën puse vertikale në Bulqizë e Memaliaj. Ndryshoi tërësisht sistemi i shfrytëzimit, në minierat e bakrit filloi shfrytëzimi me shembje të nënkatit, në minierat e qymyrit shfrytëzimi me ballë të plotë etj. Kështu u katërfishua numri i minierave dhe prodhimi u rrit për qymyrgurin 7,1 herë, për bakrin 5,8 herë dhe kromin 5,5 herë kundrejt 1950. Prej vitit 1957 filluan të dalin kuadrot e para të larta të përgatitura në vend.
Në periudhën 1961-1970 I.M. pati detyra të reja për të përballuar bllokadën imperialiste-revizioniste. U ndërtuan dhjetëra miniera të reja (Gjegjan, Batër, Tuç, Alarup, Mëzez, Mushqeta etj.) dhe u rritën aftësitë prodhuese të minierave të mëparshme me zgjerimin e mekanizimit kompleks. Projektet e plota filluan të përgatiten në vend. Kalimi në thellësi më të mëdha solli shtimin e puseve vertikale dhe zbatimin e llojeve të reja të armaturave. Pas fabrikës së parë të pasurimit në Kurbnesh, u shtua numri i tyre. Më 1970 nxjerrja e kromit u rrit 161,8%, e bakrit 80.5%, e hekur-nikelit 155% dhe e qymyrgurit 208% kundrejt 1960. Në vitet 1971-1980 u ngrit një industri e fuqishme metalurgjike, pirometalurgjia e bakrit, prodhimi i ferrokromit etj. Prandaj u kalua në miniera të reja me aftësi të mëdha prodhuese dhe me mekanizim të lartë, si miniera e Valiasit, e Përrenjasit, e Gurit të Kuq etj. U arrit të ndërtohen puse deri 500 m, si në ‘&vA’ajaii,
Tashmë janë projektuar dhe po ndërtohen një numër i madh minierash, që do të sjellin një hop të ndjeshëm në shtimin e prodhimit. Gjatë planit të 7-të pesëvjeçar nxjerrja e xeherorëve të kromit do të rritet 29%, të ‘bakrit 53%, të hekur-nikelit 2.5 herë, e qymyrgurit 48% si dhe do të rritet nxjerrja e fosforiteve, kuarciteve, dolomiteve, oliviniteve, boksiteve etj. Do të shtohen gjithashtu rezervat e mineraleve të dobishme të njohura, do të zbulohen minerale të dobishme e vendburime të reja të tyre. Më 1984 I.M. nxori mbi 2 milionë tonë qymyrguri, 960 mijë tonë xeherorë të kromit, mbi 1 milionë tonë xeherorë të hekur-nikelit, mbi 1 milionë tonë xeherorë të bakrit etj.
(H.Sh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Industria Minerare