INSTITUCIONET FETARE


INSTITUCIONET FETARE
✤ Institucione të posaçme me anën e të cilave kleri ushtronte veprimtarinë fetare e politike në masat e besimtarëve për t’i mbajtur këto të nënshtruara nën ndikimin e ideologjisë obskurantiste fetare dhe të politikës antipopullore të klasave shfrytëzuese e të shtetit ië tyre. Fetë e ndryshme që kanë vepruar në Shqipëri, në të kaluarën kanë pasur institucionet e tyre: kishën (feja e krishterë ortodokse e katolike), xhaminë (feja myslimane) dhe teqenë (bektashinjtë). Krahas këtyre kanë ekzistuar edhe institucione të tjera si manastiret (për ortodoksët), kuvendet (për katolikët), vakëfet (për myslimanët) etj., që përdoreshin nga kleri sidomos për të mbajtur të gjalla bestytnitë e zakonet prapanike dhe si mjet pasurimi.

Institucionet fetare kryesore kanë qenë varur për një kohë të gjatë nga jashtë: nga Patrikana e Stambollit (kisha ortodokse), nga Vatikani (kisha katolike), nga Sheih-ul-islami (myslimanët), nga Kryegjyshata Botërore (bektashinjtë). Për përgatitjen e klerikëve katolikë, ortodoksë e mysiimanë, në Shqipëri ka pasur shkolla e seminare fetare. Klerikët e lartë janë përgatitur si rregull jashtë shtetit në institucione të specializuara. Institucionet e mësipërme fetare si edhe manastiret, kuvendet, teqetë, komunitetet kanë zotëruar pasuri të mëdha të tundshme e të patundshme dhe kanë qenë nga pronarët më të mëdhenj të tokave. Me qëllime të caktuara politike, ato janë subvencionuar nga shtete të huaja që ushqenin synime imperialiste e shoviniste ndaj vendit tonë, si edhe nga shteti feudalo-borgjez i A. Zogut. Sidomos shteti austro-hungarez deri në Luftën e Parë Botërore dhe fashizmi italian nëpërmjet Vatikanit dhe agjentëve të tij në Shqipëri, kanë mbështetur financiarisht institucionet fetare, në radhë të parë kishën katolike, për t’i përdorur si vegla në duart e veta për pushtimin e kolonizimin e Shqipërisë.

Përveç botimit të librave fetare, I.F. kishin edhe shtypin e tyre: «Lajmëtari i zemrës t’Jezu Krishtit», «Zani i Shnandout», «Kumbona e së diellës» etj., për katolikët; «Feja kristiane», «Kisha kombëtare», për ortodoksët; «Zani i naltë» e «Kultura islame» për myslimanët; «Djersa» për bektashinjtë.

PKSH dhe Fronti NÇ i organizuar e i udhëhequr prej saj, demaskuan gjatë Luftën ANÇ veprimtarinë politike antikombëtare e antipopullore që kleri i lartë e sidomos ai katolik zhvillonte kryesisht nëpërmjet institucioneve fetare e shtypit të tyre reaksionar në shërbim të pushtuesve të huaj nazifashistë dhe të reaksionit të brendshëm feudalo-borgjez. Politika e drejtë dhe parimore e PKSH dhe puna e madhe sqaruese e bindëse që zhvilloi ajo me masat e gjera të popullit e bënë të qartë në sytë e të gjithëve qëndrimin armiqësor të institucioneve fetare dhe të klerit të lartë kundër luftës çlirimtare dhe interesave të popullit e të atdheut.

Veprimtaria kundërrevolueionare sidomos e kishës katolike dhe e klerit të saj në vitet e para pas Çlirimit për të përmbysur pushtetin popullor zbuloi edhe më qartë karakterin thellësisht reaksionar e antipopullor të tyre. Mbi këtë bazë, krahas masave që mori pushteti popullor për të zhveshur institucionet fetare e klerin nga pushteti politik dhe ekonomik që kishin më parë, me punën e gjithanshme e ideopolitike të Partisë, u krijuan kushtet për likuidimin në vendin tonë të institucioneve fetare dhe ndalimin e ushtrimit të profesionit të klerikëve. (Shih edhe: «Feja», «Krishterimi>> «Islamizmi» «Bektashizmi»).

(H. H.-M. Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Institucionet Fetare


[cite]