INSTITUTI I KËRKIMEVE BUJQËSORE LUSHNJË


INSTITUTI I KËRKIMEVE BUJQËSORE LUSHNJË
✤ Institucion kërkimor-shkencor në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, që merret me kulturën e grurit, tritikalet, kulturat fijore (pambuku, liri, kërpi etj.), kulturat vajore (luledielli, susami, kikiriku etj.) dhe kulturat bishtajore (fasulja, soja etj.). U ngrit në Tiranë në shkallë instituti më 1952 dhe më 1956 u vendos në Lushnjë. Ka në varësi baza eksperimentale në Peshkopi, Lezhë, Skrapar e Gjirokastër ku kryhen provat krahasuese zonale dhe bashkëpunon me një sërë ekonomish bujqësore për punën kërkimore-shkencore dhe për prodhimin e farërave elite. I. i K.B. ka sektorët shkencorë të drithërave, të kulturave vajore, të kulturave fijore, të kulturave bishtajore dhe sektorin e gjenetikës e të fiziologjisë. Detyrë themelore e I. të K.B. është të bëjë studime gjenetiko-seleksionuese për të krijuar, gjetur dhe përhapur në prodhim kultivarë e hibride të rinj për grurin, tritikalet, bimët fijore, bishtajore dhe vajore, që të kenë cilësi e prodhimtari të lartë dhe të përshtatshëm për kushtet ekologjike të vendit. Ai drejton gjithashtu prodhimin për nevojat, e vendit të farërave të kulturave që studion duke prodhuar dhe vetë farëra bazë (elite)., Studion dhe çështje të rëndësishme agroteknike, sidomos për kultivarët dhe hibridet e rinj që i rekomandohen prodhimit, përgjithëson përvojën e përparuar në bashkëpunim me ekonomitë e dalluara dhe bën përpunimin e rekomandimin e teknologjive të përparuara në dobi të prodhimit. Janë botuar disa vepra kolektive.

(K. Dh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Instituti I Kërkimeve Bujqësore Lushnjë


[cite]