INSTITUTI I STUDIMEVE DHE I PROJEKTIMEVE TË MINIERAVE


INSTITUTI I STUDIMEVE DHE I PROJEKTIMEVE TË MINIERAVE
✤ (ISPM). Institucion kërkimor shkencor, në varësi të Ministrisë së Industrisë dhe Minierave, që merret me studime dhe projektime në fushën e minierave. U ngrit më 1983 mbi bazën e sektorëve të studimeve dhe projektimeve të minierave pranë ISPGJ (shih).

ISPM kryen studime për përcaktimin e mënyrave të hapjes, të përgatitjes dhe të shfrytëzimit të minierave të reja, si dhe për rikonstraksionet. Harton projektet e plota për të gjitha punimet nëntokësore dhe sipërfaqësore të minierave dhe kontrollon zbatimin e tyre. Studion në veçanti dhe zgjidh çështjet e mekanizimit dhe të automatizimit të minierave. Ka katër sektorë: të projekt-ideve të zgjeruara, të projekteve të zbatimit për objektet nëntokësore, të projekteve energjetike e mekanike të shfrytëzimit të minierave dhe të projekteve për objektet sipërfaqësore të minierave, si edhe kabinetin e dokumentacionit, informacionit dhe arkivit teknik. Bashkë me ISPTM dhe Fakultetin e Gjeologjisë e Minierave të UT boton revistën «Buletini i shkencave Minerare» (shih).

(S.G.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Instituti I Studimeve Dhe I Projektimeve Të Minierave


[cite]