INTERNACIONALIZMI PROLETAR


INTERNACIONALIZMI PROLETAR
✤ Një nga parimet themelore të marksizëm-leninizmit e të moralit komunist, që shpreh solidaritetin luftarak të proletariatit dhe të popujve të të gjitha vendeve në luftën për përmbysjen e kapitalizmit e për fitoren e socializmit e të komunizmit. Internacionalizmi proletar lindi me lindjen e lëvizjes komuniste dhe u shpall nga K.Marksi dhe F. Engelsi në «Manifestin e Partisë Komuniste» me parullën «Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni!», e cila mbetet gjithmonë aktuale në luftën e proletariatit dhe të popujve kundër imperializmit, socialimperializmit dhe reaksionit botëror. Internaeionalizmi proletar zhvillohet e kalitet në luftë me shovinizmin, nacionalizmin, kozmopolitizmin borgjez dhe revizionizmin. PPSH si parti revolucionare e klasës punëtore në të gjithë veprimtarinë e saj i ka qëndruar besnike marksizëm-leninizmit dhe internacionalizmit proletar, duke e lidhur ngushtë zhvillimin e revolucionit e të ndërtimit socialist në vendin tonë me përkrahjen e proletariatit revolucionar botëror dhe të luftërave çlirimtare të popujve. Ajo i edukon vazhdimisht komunistët dhe gjithë punonjësit tanë me frymën e internacionalizmit të vërtetë proletar.

(I.El.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Internacionalizmi Proletar


[cite]