ISHULLI KUNE


ISHULLI KUNE
✤ Ishull ranor i ulët në bregdetin e Lezhës, në të djathtë të deltës së Drinit të Lezhës (shih), 1.5 km larg bregut. Shtrihet me drejtim L-P dhe ka sipërfaqe 125 ha. Është krijuar nga prurjet e ngurta të Drinit dhe kjo bën që forma e madhësia e tij të ndryshojnë vazhdimisht, por dhjetëvjeçarët e fundit ka qëndrueshmëri. Në një rrip të ngushtë ranor në anën L kalon rruga që lidh I.K. me Lezhën. Në anën J e L I.K. laget nga laguna e Merxhanit, e cila në dy vende lidhet me detin. Më shumë se gjysma e ishullit zihet nga një kënetë e cekët pak e njelmët e mbushur me kallama, zhukë e bimë të tjera ujëdashëse.

I.K. dallohet për pasurinë dhe shumëllojshmërinë e faunës (sidomos të shpendëve ujore) dhe prandaj është shpallur rezervat kombëtar dhe monument natyre. Shpendët më të përhapur janë: rosat, patat, pelikanët, karabullakët, pulat e ujit, gjelat e ujit, pulëzezat, grillat, çapkat, kolikët etj. Veç këtyre gjenden me shumicë trishtilet, mëllenjat, bilbilat, larushët, bengët, qukapikët, grifshat e detit etj. Shumë e pasur është edhe bota e zvarranikëve si: bolla me katër vija, astriti, nepërka, gjarpri i ujit, breshka e ujit dhe e tokës etj. Nga gjitarët gjendet çakalli, dhelpra, vidra, rrallë shqarthi, nusja e lalës, iriqi, lepuri. Midis makjeve mbizotërojnë marinat, nga drurët e lartë rriten verri i zi, vidhi, frashëri, shelgu i bardhë, plepi i bardhë etj.

(Me.K.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Ishulli Kune


[cite]