ISUFI ELEZ
✤ (1861-1924). Atdhetar dhe udhëheqës i shquar popullor në luftën për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare e të tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për demokratizimin e jetës së vendit. Lindi në Sllovë të Dibrës. Në krye të forcave patriotike dibrane u ndesh me pushtuesit serbë më 1912.
Mbështeti qeverinë kombëtare të Vlorës dhe iu kundërvu veprimtarisë tradhtare të Esat pashë Toptanit dhe pasuesve të tij. Udhëhoqi kryengritjen e armatosur që shpërtheu në krahinën e Dibrës më 15 gusht 1920, për çlirimin e tokave të shtetit shqiptar të pushtuara nga forca të armatosura jugosllave (shih Lufta e Dibrës) E.I. vazhdoi luftën deri në dhjetor 1921 kur serbët u detyruan të tërhiqeshin përfundimisht në kufirin e vendosur më 1913. Në lëvizjen për demokratizimin e jetës së venait të viteve 1921-24, E.I. u radhit në anën e forcave përparimtare. Ishte ndër organizatorët e Lëvizjes së Marsit të vitit 1922 (shih); forcat dibrane të udhëhequra prej tij arritën në Tiranë dhe vunë nën kontroll një pjesë të saj. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924 dhe luftoi për realizimin e programit të qeverisë demokratike të kryesuar nga Fan Noli. Në betejën e zhvilluar në Peshkopi më 16 dhjetor 1924 kundër forcave kundërrevolucionare të A.Zogut u plagos rëndë dhe vdiq më 29 dhjetor. (Xh. G.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Isufi Elez