ISPENXHA


ISPENXHA
✤ Detyrim kryesor në të holla që u vilej në Perandorinë Osmane fshatarëve raja dhe qytetarëve të krishterë, të martuar ose jo, të cilët kishin arritur moshën e pjekurisë, pavarësisht nëse ishin apo nuk ishin pajisur me tokë. Ky detyrim shprehte varësinë feudale të fshatarit raja ndaj spahiut të vet dhe ishte një nga detyrimet kryesore në të holla që vilnin spahinjtë në dobi të vet. I. në shek.XV-XVI në trevat shqiptare, si dhe në viset e tjera të Ballkanit vilej zakonisht në masën 25 akçe për njeri. Më vonë në shek. XVII-XVIII, me shthurjen e sistemit të timareve dhe thellimin e shfrytëzimit feudal, arriti deri në 35 akçe për njeri. Nga fshatarët me besim mysliman në vend të I. vilej taksa e pendës (resmi çift) në masën 22 akçe për njeri. I. u vol deri me heqjen e sistemit të timarit në vitet 30 të shek.XIX.

(S.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Ispenxha


[cite]