Jani Trebicka
Jani Trebicka (1952- ) ka lindur në Korçë më 30 shtator 1952 dhe rrjedh nga një familje thellësisht besimtare, prej së cilës u edukua që në vogëli me frikë Perëndie. Mbyllja e kishave e gjeti në moshën 15-vjeçare, por në rrethin e tij festat fetare vazhdonin të kremtoheshin rregullisht. I formuar me këtë traditë së bashku me shokë dhe miq ai shkonte për pelegrinazh në vende të shenjta si në Shën Konstandin e Bradvicë, Shën Marenë e Dishnicë, ku i luteshin Zotit. Duke punuar si fonditor ai derdhte kryqe dhe ua shpërndante të afërmve ose i linte nëpër kishat e shkatërruara që t’i merrnin besimtarët ortodoksë, që i frekuentonin fshehurazi. Në kremtimin për herë të parë të Ujit të Bekuar më 6 janar 1991 në vendin ku më parë ndodhej Kisha e Shën Triadhës, Jani Trebicka ishte ndër organizatorët. Më pas u zgjodh llogaritar i kishës, por dëshira e tij ishte të bëhej prift. Kështu me ardhjen në Shqipëri të Fortlumturisë së Tij Kryeepiskopit Anastas si Eksark i Patriarkanës Ekumenike ishte dhjaku i parë që u hirotonis nga dora e tij më 28 korrik 1991 përjashta te shkallët e Mitropolisë. Ndërsa më 24 nëntor 1991 u dorëzua prift. Përkushtimi ndaj detyrës së shenjtë, aftësia e shpresëtaria e tij bënë që në shkurt të vitit 1993 ai të zgjidhet nga Këshilli i Përgjithshëm i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Epitrop i Përgjithshëm Arkiheratik i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjithashtu me formimin e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Protopresviter Jani Trebicka u zgjodh Kryesekretar i Përgjithshëm.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Të ardhmen e Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale e shoh me optimizëm, ngjallja, qershor 1994, faqe 9.