Justin Filozofi

Justin Filozofi

(greqisht: Ιουστίνος) Justin Filozofi (100-167) ka lindur në vitin 100 në qytetin Siqem të Samarisë. Ai kishte studiuar filozofinë pagane të filozofëve të mëdhenj duke marrë leksione nga profesorë të famshëm. Megjithatë shpirti i tij nuk gjeti qetësi dhe kënaqësi prej këtyre filozofëve. Njëherë, kur shëtiste anës së detit dhe duke menduar se ç’gjë tjetër mund të lexonte, i doli përpara një burrë plak, i cili e pyeti përse ishte i shqetësuar. Justini i rrëfeu pikëllimin e shpirtit të tij, atëherë plaku i rekomandoi të lexonte shkrimet e shenjta, të cilat pasi i lexoi, u konvertua në fenë kristiane duke u bërë nga mbrojtësit më të flaktë të kristianizmit. Justini mbrojti me zell doktrinën kristiane, gjithashtu udhëtoi nëpër Azinë e Vogël, Greqi dhe Itali. Justini u martirizua në Romë në kohën e persekutimeve të perandorit Mark Aurelit (163-167). Shkrimet: 1) Në Apologjinë e parë, të cilën ia drejton perandorit Antonio, bën të njohur se çfarë besojnë të krishterët dhe përpiqet ta bindë që të ndalojë përndjekjet kundër tyre. Kjo apologji u shkrua në Romë rreth viteve 150 dhe përbëhet nga 68 kapituj. 2) Në Apologjinë e dytë, shkruar në vitin 160, të cilën ia drejton senatit të Romës, vërteton se të krishterët ndiqen sepse besojnë të vërtetën. 3) Në një Dialog me judeun Trifon, që përbëhet nga 142 kapituj, tregon se Testamenti i Ri është plotësimi i Testamentit të Vjetër etj. Dialog me Trifonin është apologjia më e vjetër e krishterë kundër judenjve.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Arkimandrit Justini, Nga thesari i shenjtorëve, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 2004, faqe 179-180.

Besimi — Ortodoks

[cite]