Justini

Justini (1949- ). Arkimandrit Justini ka lindur në Pire më 31 dhjetor 1949. Pasi përfundoi studimet teologjike në Universitetin e Athinës, përqafoi jetën monakale. Ai është asket nga Skiti i Shën Anës në Malin e Shenjtë dhe erdhi në Shqipëri me ftesë të Kryepiskopit Anastas në dhjetor 1992. Arkimandrit Justini ka pasur një detyrë mjaft të rëndësishme në drejtimin e K.O.A.Sh-it, atë të Protosingjelit, e cila kërkonte një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe përgatitje të lartë teologjike. Në Akademinë Teologjike ka dhënë lëndën e Muzikës Bizantine, të cilën e kishte me shumë pasion. Me inisiativën e atë Justinit në vitin 1994 u hap në Tiranë kursi i mësimit të Muzikës bizantine. Në këtë kurs përveç të rinjve merrnin pjesë edhe muzikantë profesionistë. Ndërsa në dhjetor të vitit 1997 u ngrit kori i muzikës bizantine “Joan Kukuzeli”, i cili ka realizuar disa kaseta me Liturgji Hyjnore dhe psalme bizantine. Më 6 qershor të vitit 1999 kori i Muzikës Bizantine i drejtuar nga Arkimandrit Justini dha koncertin e parë në TVSH. Gjithashtu Kori Bizantin “Joan Kokuzeli” nën drejtimin dinjitoz të atë Justinit ka dhënë një koncert në katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë dhe një koncert tjetër në sallën e Muzeut Historik Kombëtar me rastin e promovimit të librit “Kishat pasbizantine në Shqipërinë e Jugut”. Arkimandrit Justini ka botuar këta libra liturgjikë: 1-”Anastasimatar”, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 2003. 2-”Nga thesari i Shenjtorëve”, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 2004. 3-”Lutja e Jisuit”, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 2003. 4-”Vajtimi për atdheun e humbur”, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 2004. 5-”Kisha dhe shërbesat”, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 2005. Patër Justini është shembulli tipik i murgut asket. U largua nga Shqipëria në maj 2001, pasi shërbeu afro nëntë vjet me përkushtim dhe devocion. Në muajin nëntor 2002, Kryepiskopi Anastas e thirri përsëri Patër Justinin. Ndonëse nuk ka post drejtues, vazhdon të meret me muzikën bizantine, të cilën e ka pasion.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)

Besimi — Ortodoks

[cite]