Klimi i Romës
(greqisht: Κλήμης Ρώμης) Klimi i Romës (92-101). Sipas dëshmisë së Eusebit, Klimi u dorëzua nga Apostull Petro, Episkop i Romës dhe udhëhoqi kishën në vitet 92-101. Nga informacionet që na jep Irineu, Klimi qe njohur personalisht nga Apostujt Petro dhe Pal. Klimi ishte i krishterë i ardhur nga rrethet judaike. Kjo dëshmohet nga njohuritë e thella të tij për Dhiatën e Vjetër. Dëshmi të ndryshme flasin për vdekjen martire të Klimit. Kujtimin e tij e kremtojmë më 24 nëntor. Shkrimet: 1) Letra e parë drejtuar Korinthasve, e cila përbëhet nga 65 kapituj dhe është shkruar rreth viteve 92-96 pas Krishtit. Letra ka vlera të veçanta historike. Shkaku i shkruarjes së letrës qenë disa trazira që kishin ndodhur në komunitetin e krishterë të Korinthit, të shkaktuara nga disa anëtarë të rinj të atij komuniteti, të cilët kishin larguar priftërinjtë nga detyrat e tyre. Kisha e Romës me Klimin në krye ndërhyri për t’i dhënë fund trazirave. Letra e parë drejtuar Korinthasve trajton problemin e hierarkisë kishtare, duke theksuar nevojën e bindjes ndaj tyre. 2) Letra e dytë drejtuar Korinthasve përbëhet nga 20 kapituj.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhimitër Beduli, Leksione, Patrollogjia, botim i K.O.A.Sh-it, Tiranë 1998, faqe 39.