Klimi i Aleksandrisë
(greqisht: Κλήμης Αλεξανδρείας) Klimi i Aleksandrisë (150-216) ka lindur rreth vitit 150 në Athinë nga prindër paganë. Ku dhe si u kthye në krishterim nuk dihet. Pas konvertimit në kristianizëm, Klimi ndërmori shumë udhëtime në jug të Italisë, në Siri dhe Palestinë me synimin të merrte mësime feje nga mësuesit më të njohur të krishterimit. Më vonë u dorëzua prift. Udhëtimet e tij e sollën në Aleksandri, ku ndoqi leksionet e Pantenit, të cilat e tërhoqën aq shumë, sa vendosi të rrinte në Aleksandri dhe të bëhej nxënës dhe pasardhës i Pantenit në drejtimin e shkollës së katekizmit. Koha kur ai u bë trashëgimtar i profesorit të tij, mendohet të jetë aty rreth vitit 200 pas Krishtit. Disa vjet më vonë nga përndjekja e Septim Severit u detyrua të largohej nga Egjipti. Klimi gjeti strehë në Kapadoki bashkë me nxënësin e tij, Aleksandrin, i cili më vonë do të bëhej peshkop i Jeruzalemit. Klimi vdiq në vitin 216 pas Krishtit. Shkrimet: Klimi u përpoq me të gjitha fuqitë e tij, që të shpjegonte dhe të demonstronte nga pozita filozofike doktrinën kristiane, ose të krijonte një të tillë siç thoshte ai vetë, por në shpjegimet e tij shpesh herë gaboi dhe prandaj bën pjesë vetëm në grupin e shkrimtarëve të krishterë. Nga veprat e tij, të cilat kanë arritur deri në ditët tona janë këto: 1) Thirrja nxitëse drejtuar grekëve, e cila konsiderohet si një thirrje, që synon kthimin në krishterim. 2) Pedagogu ose Kujdestari, vepër e cila përmban tri libra dhe është vazhdimësia e Thirrjes. Me anën e Kujdestarit Klimi u drejtohet atyre që ndoqën këshillën e tij duke pranuar besimin e krishterë. 3) Stromata, vepër e cila përbëhet nga tetë libra. Në këtë libër trajtohet lidhja mes besimit të krishterë dhe filozofisë greke.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)