KODIKU I 20-TË, I BERATIT
(JETËSHKRIME MARTIRËSH E SHENJTORËSHDHE TË TJERA)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat e fletëve: 38.3 x 21-22 cm.
Sasia e fletëve: 190.
Teksti: Në dy kolona, me grafi të tipit të vonët, shkruar në ngjyrë kafe, me 34 rreshta
për kolonë, me shkrim në madhësi mesatare.
Kapakët: Prej dërrase, të veshur me lëkurë, mbi të cilën janë stampuar motive lineare,
ku formohen dhe zemra (këto vendosen në një kornizë katrore), si dhe me lule të stlizuara
shumëpetalëshe. Këto janë stampuar si në kapakun e sipërm, dhe në të poshtmin. Lëkura
është grisur ngapak nëpër qoshe, por mund të restaurohet.
Datimi: Kopjuar në shekullin e 12-të.
Autori i grafisë është anonim.
Zbukurime: Nuk ka. Inicialet janë shkronja kapitale, por të një madhësie të vogël, ngjyrë të
kuqe.
Dëmet: Fletët 1 dhe 2 janë nxirë shumë anash. Fleta 3 është ndotur shumë në 4 rreshta të
kolonës së majtë. Kodiku është dëmtuar prej shqitjes me forcë të pesë fletëve, gjegjësisht të
fletëve 11 deri 16. Fletët 108 deri 119 janë shkëputur nga lidhja, ndërsa tri fletë të tjera pas
këtyre janë gati në shkëputje. Ky dëm mund të riparohet prej libërlidhësve. Fleta 176 ka të
prerë një pjesë pergamene nga poshtë, në mënyrë horizontale, por pa e dëmtuar tekstin.
Fleta 184 e ka të prerë pergamenën në mënyrë vertikale, duke dëmtuar gjithë tekstin e kolonës
së djathtë. Fleta e fundit është errësuar mjaft, por teksti lexohet.
Kodiku përmban:
– Logos /ligjëratë, mbi një festë që lidhet me emrin e Krishtit, kolona 14, fleta 1.
– Mbi martirizimin e Niqiforit, kolona 26, fleta 8 verso.
– Martirizimi i Shën Vlashit, kolona 20, fleta 14.
– Jetëshkrimi i Shën Martinianit, kolona 52, fleta 21.
– Martirizimi i Theodhor Stratilatit, kolona 50, fleta 33 verso.
– Martirizimi i një tjetri dëshmori të kishës, kolona 29, fleta 41 verso.
– Mbi lutjen se ç’është më e fuqishme se mbretëria, kolona 9, fleta 49, punë e Shën Gjon
Gojartit.
– Mbi ata që kanë fjetur me besë dhe mbi meshimet që bëhen për ta, punë e Joan Damaskinoit,
kolona 132, fleta 52.
– Tregim mbi rrjedhën e gjakut të Krishtit, kolona 14, fleta 88.
– Për një mrekulli mbi ikonën e Krishtit në qytetin Verit, kolona 14, fleta 92.
– Histori të ndryshme mbi mrekullitë që bëhen mbi ikonat, kolona 5, fleta 95.
– Mbi një mrekulli tjetër që ka ngjarë para ikonës së Krishtit, kolona 3, fleta 96.
– Martirizimi i 40 shenjtorëve, kolona 28, fleta 102.
– Testamenti i 40 shenjtorëve, kolona 8, fleta 109.
– Martirizimi i Shën Prokopit, kolona 78, fleta 127 verso.
– Martirizimi i Shën Pandelejmonit, kolona 53, fleta 141.
– Tregime mbi perandorin Kostandin, kolona 40, fleta 154.
– Mbi Shën Gjon Pagëzorin dhe mbi gjetjen e kokës së tij, kolona 85, fleta 170.
Në fletën 2 ruhet ky anëshkrim i vonë me shkronja të zeza: “Ky libër është i (kishës) së Shën
Marenës“.
Në fletën 27 verso sipër ruhet ky anëshkrim: “Nga Vlora arriti …” (tekst i palexueshëm).
Në fletën e parë ruhen disa pjesë nga poezitë e quajtura zbritësore të vjeshtës, të shkruara
nga Stavro Xapakia (njëra ka titullin “Kryqin përvijos Moisiu”), këto pjesërisht të zbehta, në
ngjyrë të zezë, që do të thotë se janë të kohës osmane.
Në fletën 123 verso ruhen 6 shënime me shkronja të zeza të kohës së vonë. Në njërin prej
tyre, ai që shkruan shënimet vëren se këtë libër e mori nga ipeshkvia dhe si e lexoi ia ktheu
kishës. Të tjerat janë tekste të përdorimit kishtar, pa datë e pa nënshkrim.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve