KODIKU I 27-TË, I BERATIT
(OMILIE, FJALIME NË STIL SHPJEGUES NGA TEKSTI I DHJATËS SË RE)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 32 x 22 cm.
Sasia e fletëve: 194.
Teksti: Një kolonë, shkronjat janë të tipit të mesëm, në ngjyrë kafe, me 32 rreshta për
faqe. Teksti përmban 28 omilie. Omilia e 28-të ka mbetur vetëm një fragment, në gjysmën e
fletës.
Kapakët: Origjinalët e vetë kodikut kanë qenë të veshur me lëkurë. Por, duke qenë
këta kapakë shumë të dëmtuar, kodiku është pajisur me kapakë të rij nga restauratorët e
AQSH.
Dëmtimet: Fleta 1 ka shumë rreshta të tekstit të fshirë. Prej fletës 1 deri në fletën 40 cepi i
poshtëm i pergamenës është ngrënë nga insektet, duke cënuar edhe shkronjat. Prej fletës
49 deri në fletën 65 janë ngrënë pjesa e djathtë e fletëve duke mos prekur tekstin. Në fletët 68
e 69 janë zhdukur pak shkronja nga pikimi i ujit. Në fletën 90 verso janë zhdukur dy shënime
anësore. Prej fletës 119 deri në fletën 122 ka ngrënie nga insektet, sipër në anën e djathtë.
Fleta 125 është e ngjitur në anën e brendshme duke zënë tekstin. Në faqen verso të fletës
130 janë zhdukur ca shkronja në fundin e rreshtave nga lagështia. Në rreshtin e parë të fletës
143 janë prishur disa shkronja edhe në faqen verso; po kështu dhe në fletët 144, 145, 146 e
147. Gjithashtu, prej fletës 149 deri në 161 rreshti i parë, ka fjalë ose shkronja të dëmtuara
ose të zhdukura. Fleta 161 në fund ka një të prerë në mënyrë horizontale (për shkak se është
marrë një pjesë pergamene formë rripi; kjo është nën tekstin, ndofta për shkak të ndonjë
mbishkrimi që mund të ketë pasur). Dy fletët e fundit të kodikut janë errësuar shumë anash,
por teksti lexohet.
Shënime anësore: Në fletën 14 ruhen këto shënime anësore: 1- “Zonja konteshë e Skuripekut“.
2- “Meshtari Foti i zonjës Skuripeku“. Në fletën 15 ruhen dy mbishkrime të tjera: 1- “Kontesha
e Skuripekut“. 2- “O zot, kujto shpirtin e sherbëtorit të perëndisë, meshtar Skuripekut“. Këto
shënime janë pa datë.
Këto shënime i kemi gjetur dhe gjetkë. Prej tyre rezulton se kontesha është e shoqja e
Skuripekut, që ka të ngjarë të jetë nga familja e njohur e Skurajve. Sipas burimeve të tjera në
artet figurative këta bashkëshortë kanë jetuar në shekullin e 14-të. Në këtë kodik dëshmohet
se shënimet e konteshës janë më të vona se teksti burimor. Shënimet janë në ngjyrë të zezë.
Këto shënime të konteshës, gjithashtu, dëshmojnë se ajo nuk e ka njohur mirë greqishten,
siç del nga gabimet ortografike të shënimeve.
Mendojmë se është vepruar mirë që nuk janë hequr kapakët e dëmtuar të vjetër të kodikut,
sepse si dërrasat me copa lëkure sipër, por sidomos mënyra e lidhjes së kodikut, paraqesin
mjaft interes për atë mjeshtëri.
Ky kodik, duke qenë me shkronja të tipit të mesëm, mendojmë se duhet t’i atribuohet shekullit
të 13-të.
Kodiku nuk ka zbukurime.

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

 

[cite]