KODIKU I 38-TË, I BERATIT
(KATËRUNGJILLËSH)
Materiali: Letër.
Përmasat: 25 x 19.5 cm.
Sasia e fletëve: 239.
Grafia: E tipit të vonë, e shkruar në ngjyrë kafe, me vlerë estetike.
Shkrimi: Në një kolonë, me 21-22 rreshta secila. Nistoret e çdo perikopeje janë me
shkronja kapitale pak të zmadhuara dhe të stolisura me nga një bisk luleje të stilizuara. Kurse
inicialet fillestare të çdo ungjilli janë të mëdha e të stolisura me lule të stilizuara në ngjyrë të
kuqërremtë, me madhësi 7-9 cm.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me pëlhurë kadifeje të kuqe, e cila është ngrënë pak
anash dërrasës. Kapaku i poshtëm është ngrënë pak në sipërfaqe.
Ky kodik stoliset me katër skena të ungjillorëve, të cilat janë pikturuar secila një fletë para
fletës fillestare të ungjillit. Sipër, para fillimit të çdo ungjilli, ruhet dhe nga një vinjetë, me motivin
e linjave të harkuara, që lidhen njëra me tjetrën dhe në vendet ku takohen kanë nga një si lilan
tri ose katër petalësh, të bardhë mbi sfond të kuqërremtë. Ungjillorët Mateu, Marku dhe Luka
janë kompozuar para një sfondi arkitekturor, ulur mbi frone para tryezës së shkrimit. Luka
është para një pulti, kurse Gjoni është kompozuar me Prohorin, gjithashtu ulur mbi frone, por
para një sfondi shkëmbor, pa tryezën e shkrimit.
Ungjillorët paraqiten në pozicion ndenjur, në mënyrë krej natyrore, me këmbë zbathur,
vendosur mbi një nënkëmbëse, ulur mbi jastëkë. Mateu ka ungjillin në duar duke e lexuar,
Marku del me ungjillin mbi gjunjë duke shkruar, Luka duke e lexuar dhe Gjoni duke i cituar
Prohorit, që është duke shkruar. Mateu dhe Luka fronin e kanë me mbështetëse, kurse Marku
dhe Gjoni pa mbështetëse.
Tri figurat e ungjillorëve të parë duken si mbi një tarracë të godinës ku gjendet ungjillori, kurse
në sfondin e Markut duket dhe një godinë tjetër së largu, me dritare të harkuara nga sipër.
Skena stoliset dhe me një pëlhurë, që është varur prej një çatie në tjetrën, kjo duket e punuar
si me shirita dhe kalema me vegjë. Një stolisje e tillë vërehet dhe mbi sfondin e Lukës, me
pëlhurë prej njërës godinë në tjetrën.
Të katra figurat e ungjillorëve janë trajtuar në mënyrë të theksuar artistike me proporcione të
rregullta, me pozicione krejt natyrore, me lëvizje të matura, me një siluetë të hirshme gracioze.
Kudo bie në sy talenti i fuqishëm i artistit, por sidomos në modelimin e portreteve me anë të
detajeve të hollësishme, jo vetëm me individualitet të theksuar, por dhe me shprehje të ëmbël,
të fuqishme dhe origjinale tek secili. Vetëm se piktori i talentuar nuk ka pasur parasysh moshën
e Markut, i cili, kur ka shkruar ungjillin, sipas të dhënave të literaturës së kohës, ka qenë në
moshë shumë më të vogël nga të tjerët, kurse këtu paraqitet i moshuar si dhe të tjerët.
Këto skena janë monokrome (njëngjyrëshe), në të kuqërremtë të lehtë, si dhe në kafe të
lehtë. Tek Marku është dhe brerorja e verdhë, që imiton arin.
Vinjetat e kodikut nuk përmbajnë ndonjë vlerë artistike, po ashtu dhe inicialet fillestare të çdo
ungjilli.
Kodiku nuk e ka emrin e kopjuesit, as të piktorit të figurave, por, duke u mbështetur në grafinë
e tipit të vonë, por elegante, mendojmë se duhet t’i atribuohet me bindje të plotë shekullit të
14-të.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve