KODIKU I 37-TË, I BERATIT
(PATROLOGJI DHE MARTIROLOGJI – E ETËRVE DHE E MARTIRËVE TË KISHËS -)
Materiali: Letër.
Përmasat: 30 x 21 x 22 cm.
Sasia e fletëve: 398.
Teksti: I çdo çështjeje fillon me nistore në ngjyrë të kuqe. Shkrimi është me kapitale,
por të vogla, pa zbukurime.
Grafia: E tipit të mesëm dhe ka vlerë bukurshkrimore. Eshtë në ngjyrë kafe, në dy
kolona për faqe.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë me motive lineare që formojnë ornamente
të presuara, në formë zemrash, lulesh ose gjethesh të stilizuara. Kapakut të poshtëm të
kodikut, në anën e sipërme, një pjesë e lëkurës i është brejtur dhe nga kjo ka dalë dërrasa.
Kodiku nuk ka stolisje. Në faqen 237 është një vinjetë e kompozuar prej linjash të kuqe, por
pa art e pa përmbajtje.
Dëmtimet: Kodiku ka pësuar shumë dëmtime nga lagështia. Prej fletës 1 deri në fletën 31
është zhdukur një pjesë e tekstit nga ana e sipërme e kolonave dhe pak edhe nga ajo e
poshtme. Gjithashtu, lagështia e ka prekur tekstin prej fletës 361 deri në fletën e fundit 398.
Dëmet në tekst fillojnë gradualisht e rriten në mënyrë progresive, ku më shumë e ku më pak.
Prej fletës 376 e tutje fillon të zhduket teksti në mënyrë të palexueshme dhe prej fletës 384
teksti është lagur fare. Në fletën 127 në kolonën e djathtë është prerë gjysma e poshtme e
fletës dhe është marrë. Fletët e parafundit kanë pësuar grisje dhe dy prej tyre janë dëmtuar
shumë.
Në faqen verso të fletës së fundit të kodikut ruhet ky mbishkrim: “U shkrua ky libër në vitin
6835 (viti 1327 sipas kalendarit të ri), në kohën e mbretit të shumëdevotshëm dhe krishtdashës
Andronik Paleologut e të së shumëdevotshmes dhe kishtdashëses zonjës së Andronik
Paleologut, perandorit të romakëve“ (nënkuptohet: „të romakëve të Lindjes“, domethënë të
Bizantit).
Ky mbishkrim, që gjendet në fletën e fundit prej pergamene; grafia e kodikut, që është e gjitha
në letër, e krahasuar me grafitë e kodikëve të datuar si të shekullit të 14-të; na vërtetojnë se i
gjithë kodiku është i shekullit të 14-të dhe se dy fletët e fundit me mbishkrimin janë përdorur
për ta përforcuar lidhjen e kodikut, kështu që dhe grafia e tij është e vitit 1327.
Shkrimet që përmban kodiku:
Më 6 të muajit shtator fillon jeta e atit tonë Simeon Stilitit. Po më 6 të këtij muaji është dhe një
tregim i shkurtër mbi një mrekulli që ka ngjarë, nga kryeengjëlli Mihail.
Më 8 të këtij muaji: Logos mbi lindjen e të gjithënderuarës dhe të përmbilavdëruarës zonjës
sonë hyjëlindëse dhe gjithmonë virgjëreshë Mari. Po mbi këtë fletë është një tjetër logos mbi
lindjen e Shën Mërisë, nga Joan Damaskioni.
Më 14 të të njëjtit muaj: Logos i improvizuar mbi përkujtimin e kryqit të dhënë, nga Andrea,
kryepeshkop i Kretës.
Po në këtë muaj: jeta, veprimtaria dhe martirizimi i Shën Eustatit (Evstathit) dhe i
bashkëshortes së tij dhe fëmijëve, Agapiut e Theopistit.
Më 6 të muajit tetor: martirizimi i të shumëfamshmit apostull Thoma.
Më 18 të po atij muaji: Fjetja e apostullit të shenjtë e të ungjillorit të shumëfamshëm Luka.
Më 26 të këtij muaji: martirizimi i martirit të madh e të lavdëruar Shën Mitrit.
Më 1 të muajit nëntor: jeta dhe veprimtaria e shenjtorëve çudibërës Kozmait dhe Damianoit,
si dhe e nënës së tyre Teodorës.
Më 2 të këtij muaji: martirizimi i pesë martirëve të lavdërueshëm e të shenjtë.
Më 8 të këtij muaji: mbi arkistrateg Shën Mëhillin dhe mbledhjen e fuqive pa trup.
Më 11 të këtij muaji: martirizimi i martirëve të mëdhenj të lavdëruar e të shenjtë Minait, Viktorit
e të tjerë.
Më 12 po të këtij muaji: kthimi i lipsanit të atit tonë Shën Gjon Gojarti.
Më 14 të këtij muaji: vepra dhe martirizimi i apostull Filipit të lavdëruar.
Më 17 të këtij muaji: mbi atin tonë të shenjtë Grigorin, peshkopin e Nisit; mbi jetën dhe mrekullitë
e atit tonë shenjt ndër shenjtorë Grigorit, peshkopit të Neokesarisë (Cesarisë së Re?).
Më 21 të këtij muaji: (Logos) nga ati ynë Jermanoi, kryepeshkop i Kostandinopojës; bisedë
hyjnizuese mbi Shën Mërinë.
Më 27 të këtij muaji: martirizimi i të lavdëruarit Shën Jakovit të Persisë, që ka qenë martirizuar
në kohën e sundimit të persëve dhe të mbretit të Romës, në kohën e Arkadit (Arkadhit).
Më 4 të muajit dhjetor: martirizimi i dëshmores së madhe Varvara (Barbara).
Më 6 të këtij muaji: aktiviteti i atit tonë Shën Kollit, kryepeshkopit të Mires së Likisë.
Më 10 të këtij muaji: martirizimi i martirit të shenjtë Minait.
Më 13 po të këtij muaji: martirizimi i martirëve të shenjtë e të lavdëruar të Krishtit, Eustatit,
Auksentit, Eugjenit dhe Orestit.
Më 17 të të njëjtit muaj: martirizimi i shtatë djemve.
Më 22: martirizimi i Anastasisë së Romës.
Më 25: (Logos) nga ati ynë Grigor Theologu; mbi lindjen e zotit tonë Jesu Krisht.
Më 10 të muajit janar: (Logos) nga ati ynë shenjt ndër shenjtorë Grigori, kryepeshkop i
Kostandinopojës; logos i mëvonshëm mbi varrin e Shën Vasilit të madh.
Amfiloku, peshkop i Ikonisë (Konya?): mbi jetën dhe mrekullitë e atit tonë Shën Vasilit,
kryepeshkopit të Qesarisë (Caesarea) dhe të Kapadokisë.
Mbi mohimin e Krishtit. Mbi Anastas Persianin. Mbi Evraim Sirianin. Mbi gruan mëkatare. Mbi
Josif Izraelitin dhe mbi mjekun.
Më 5 të këtij muaji: ati ynë shenjt ndër shenjtorë Grigor Theologu, peshkopi: mbi ujët e bekuar;
Logos tjetër (idem), mbi pagëzimin e shenjtë.
Jeta dhe aktiviteti i një oshënari me emrin Joan.

 

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

 

[cite]