KODIKU I 8-TË, I BERATIT
(PERIKOPE UNGJIJSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 26.4 x 21.4 cm (përmasa e fletës së brendshme).
Sasia e fletëve: 348.
Teksti: Në dy kolona, i shkruar prej duarsh të ndryshme, prandaj dhe numri i kolonave
dhe i rreshtave të tyre ndryshon sipas shkruesit. Prej fletës 3 deri në fletën 42 kolonat kanë
nga 23 rreshta. Prej fletës 43 deri në fletën 182 kolonat kanë nga 23 rreshta. Prej fletës 184
deri në fletën 285 kolonat kanë përsëri nga 23 rreshta. Prej fletës 288 deri në fletën 292
kolonat kanë nga 22 rreshta. Prej fletës 294 deri në fletën 335 kolonat kanë nga 23 rreshta.
Fleta 336 ka nga 35 e 36 rreshta. Prej fletës 337 kolonat kanë nga 23 rreshta, deri në fletën
348, që është mbyllja e dorëshkrimit.
Kapakët: Prej dërrase, të veshur me lëkurë, mbi të cilën, në të dy faqet, të sipërmen
e të poshtmen, përmban ornamente lineare dhe florale të stilizuara, të stampuara me presë,
që kanë rëndësinë e tyre, sepse i përkasin kulturës së shekullit të 11-të, kur është shkruar
kodiku. Ornamentet në lëkurë dhe në përgjithësi kapakët janë në gjendje shumë të mirë për
kohën kur janë punuar.
Grafia: Jo unike, përmban të paktën shkrimin e tre njerëzve të ndryshëm. Kësaj i
përgjigjet numër i ndryshëm i kolonave. Të tria grafitë janë anonime. Kolonat janë me 23
rreshta (autori i parë), me 20 rreshta (autori i dytë) dhe me 22 rreshta (autori i tretë). Shkrimi
i të tre autorëve ka vlerë kaligrafike. Deri në fletën 43 shkrimi është në ngjyrë kafe të çelët,
kurse prej fletës 43 deri në fletën 182 është në ngjyrë kafe të errët. Shkrimi i tekstit prej fletës
288 deri në fletën 292 është i errët në të zezë. Kjo është grafi pak e imët. Në disa krerë
perikopesh, sidomos tek vinjetat, grafia është me ngjyrë ari ose më saktë e shkruar me ar.
Zbukurimet: Ky kodik ka pasur 11 vinjeta, nga të cilat vetëm ajo e fletës 184 ruhet. Kjo vinjetë
përmban lule në ngjyrë blu në të gjelbër, të stilizuara, mbi një sfond ari të ndritshëm, siç janë
dhe vinjetat e kodikëve më të hershëm, të shekullit të 10-të dhe të 11-të. Dy vinjeta të tjera si
kjo janë prerë e marrë, duke dëmtuar dhe një pjesë të kolonës pranë. Këtë e vërteton titulli
prej ari i perikopesë, si dhe nistorja në ar e me ngjyrë zbukuruese blu. Njëra nga këto ka qenë
në fletën 293 dhe tjetra në fletën 203. Në këtë fletë është prerë edhe titulli i perikopesë me
shkrim ari, si dhe iniciali i stolisur me ar e bojë blu. Nëntë vinjeta të tjera janë vizatuar prej
linjash të holla të kuqe me motive të ndryshme gjeometrike, florale, të bukura. Këto, si dhe
inicialet më të stolisura, me ngjyrë të kuqe, janë në fletët: 43, 293, 311, 320, 321, 332, 333,
337 dhe 339.
Gjendja fizike e kodikut është e mirë, përveç dy vinjetave që janë prerë e grabitur. Kodiku nuk
ka pësuar ndonjë dëm tjetër.
Si për grafinë e tij, si dhe dekorimet e vinjetave e të inicialeve, kodiku duhet t’i atribuohet
shekullit të 11-të.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve