KODIKU I 9-TË, I BERATIT
(PERIKOPE UNGJIJSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 31.5 x 24 cm.
Sasia e fletëve: 151.
Teksti: Në dy kolona dhe përmban ungjij në perikope. Në fletën e parë, kolona e parë,
gjendet një pjesë teksti nga jeta e martirëve. Në të njëjtën fletë, nga fundi i kolonës së majtë,
është një poezi mbi martirët, e cila vazhdon edhe gjatë gjithë kolonës së djathtë deri në
gjysmën e kolonës së majtë recto. Nën të fillon një perikope e letrës së Palit për hebrejtë.
Kolona e djathtë në këtë faqe përmban perikopenë e Ungjillit sipas Gjonit, mbi pësimet e
Krishtit. Kolona e majtë e fletës së dytë përmban një perikope të Ungjillit sipas Mateut. Nën të
është tregimi mbi rigjetjen e relikeve të Shën Stefanit. Kolona e djathtë ka poezi kushtuar
Shën Stefanit, shkruar me alfabetin e vjetër muzikologjik bizantin. Këto dy fletë, me tekste
fragmentare, janë më të vona nga teksti kryesor (të shekullit të 13-të ose të 14-të). Me rëndësi
janë kompozimet me nota bizantine në fletën 2, që, në krahasim me dorëshkrime të ngjashme
që gjenden në përbërje të kodikëve të tjerë, tregojnë zhvillimin e tyre si traditë gjatë shekujve.
Dy fletët e fundit të kodikut përmbajnë një tregim mbi martirizimin e dëshmorëve të Romës.
Një kolonë e kësaj pjese të fundme duhet t’i atribuohet kohës prej gjysmës së dytë të shekullit
të 11-të, deri në fillimin e shekullit të 12-të.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë, e cila përmban po ato dekorime të presuara që
kanë dhe kapakët e Kodikut të 8-të të Beratit, me zbukurime të ndryshme lineare dhe florale
të stilizuara.
Kodiku përmban poezi kushtuar Shën Mërisë, si në faqen e parë recto, ashtu dhe në atë
verso.


Shkrimi është i imët dhe me rreshta jo të dendur. Duket sikur autori ka pasur për qëllim të
vendosë paralelisht tekstin dhe notat.
Kodi ruan një vinjetë formën e germës “p”-pi greke – në faqen 7, sikurse gjendet edhe në
kodikë të tjerë të shekullit të 11-të. Ky ka po ashtu dy dekore florale të stilizuara, vizatuar me
ngjyrë blu mbi sfond ari, me iniciale prej ari e bojë blu. Titulli i perikopesë shkruhet me shkronja
ari. Vinjeta e dytë, gjithashtu, vendoset mbi sfond ari dhe ka linja blu me të bardhë, të rruzullta
e të harkuara. Titulli me shkronjën nistore janë prej ari.
Grafia: Në ngjyrë kafe në të kuqe.
Dëmet: Fletës së dytë i mungon një e treta; pergamena e pjesës që ruhet është e ngrënë deri
tek notat. Prej fletës 9 deri në fletën 12 ka një shqitje të lidhjes nga sipër, kurse fleta 13 ka të
dëmtuar pergamenën në tre rreshta në kolonën e parë sipër. Fletët 75-76 janë prerë mjaft
nga ana e poshtme, me sa duket duke shënuar vizat, të cilat orientojnë rreshtat dhe distancën
e kolonave. Fleta 86 ka një të prerë të pjerrët në kolonën e majtë, kurse fleta 123 ka një të
qepur prej gjysmës së kolonës së djathtë e deri poshtë në fund. Fleta 143 ka një fragment të
grisur e të qepur në pjesën e poshtme të kolonës së majtë.
Në përgjithësi gjendja fizike e kodit rezulton relativisht e mirë.

 

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

[cite]