Komiteti Shtetëror i Kulteve
Komiteti Shtetëror i Kulteve është krijuar me anën e Vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 459, të datës 23.09.1999. Misioni i Komitetit Shtetëror të Kulteve është të realizojë marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe komuniteteve fetare. Komiteti Shtetëror i Kulteve a) bashkërendon marrëdhëniet me komunitetet fetare, shoqatat, fondacionet fetare ose humanitare-fetare, b) negocion për përgatitjen e marrëveshjeve ndërmjet përfaqësuesve të bashkësive fetare dhe Këshillit të Ministrave, c) bashkëpunon me bashkësitë fetare për përgatitjen e projektligjeve dhe akteve nënligjore, që kanë të bëjnë me kultet fetare, d) në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe me komunitetet fetare interesohet për ruajtjen e vlerave të objekteve të kultit, e) vendos dhe zhvillon lidhje me institucionet homologe të vendeve të tjera e të diasporës, dh) i paraqet Ministrisë së Financave mendimin e tij lidhur me hyrjen në territorin e Republikës së Shqipërisë të mallrave me karakter fetar për komunitetet fetare dhe përjashtimin e tyre nga taksat doganore, sipas ligjeve në fuqi. Përbërja e Komitetit Shtetëror të Kulteve, struktura organizative dhe rregullorja e funksionimit të tij miratohen nga Kryeministri.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)