Krist Elli
shqiptar ortodoks Krist Elli (1895-1985) ka lindur më 1895 në Hoçisht të Devollit, (Qarku i Korçës) në një familje me tradita patriotike. Zyrtarisht quhej Kristo Ilia Tërpini, ose shkurt Kristo Ilia. Me fillimin e luftrave Ballkanike, ne vitet 1912-1913 u detyrua të emigroi në SH.B.A, në Boston, ku me kalimin e kohës ja përshtatën emrin në Christ Elli duke ia amerikanizuar atë. Pasi kreu studimet për Stomatologji në Boston, punoi ca kohë si dentist, në Kleveland fillimisht dhe më pas në Boston. Në ato vite u njoh me bashkëshorten e tij Madelina Elli edhe kjo një shqiptare me origjinë nga Juglindja e Shqipërisë dhe u martua me të. Pas luftës së Dytë Botërore, për nevoja të Kishës Shqiptare të Amerikës u thirr dhe u dorëzua prift nga Imzot Theofan Noli, i cili në atë kohë ishte Kryeepiskop i dioqezës shqiptare të Amerikës dhe i pa mundur që të merrej njëkohësisht si me administrimin e Kryepiskopatës shqiptare të Amerikës dhe njëkohësisht të administronte në aspektin fetar Kishën e e parë të Shën Gjergjit të cilën e kishte themeluar vetë vite më parë. Kisha e shqiptarëve të Amerikës kishte nevojë për priftërinj që meshonin në gjuhën shqipe, por që edhe të lexonin Veprat e Shenjta drejtpërdrejtë në greqisht, ose të praktikonte edhe gjuhën angleze në liturgjitë e Kishës. Gjë që mund kryhej nga atë Krist Elli. Ai ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes hyjnore për të ngritur kryqin e rëndë të klerikut orthodhoks. Atë Krist Ellin e emëruan famullitar i Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, e cila është themeluar më 22 mars të vitit 1908 dhe është kisha e parë orthodhokse shqiptare në Amerikë. Krist Elli sapo u emërua famullitar i Shën Gjegjit, menjëherë filloi të sistemojë arkivat e kishës dhe të organizojë strukturat dhe librat financiarë, të mbajë bilançet dhe regjistrojë dhuratat dhe kontributet e besimtarëve dhe dashamirëve të kishës, e kështu me rradhë edhe shpenzimet e shërbesave të kishës. Atë Krist Elli ishte shumë popullor, i aftë dhe i devotshëm, prandaj besimtarët e donin dhe e respektonin. Ai organizoi për herë të parë kurset e katekizmit, të cilat quheshin “Shkolla diellore”. Gjithashtu ngriti dhe organizoi korin e kishës së Shën Gjergjit, meqenëse edhe vetë shquhej për aftesi muzikale. Në këto nisma At Krist Elli pati dhe mbështetjen miqve te tij dhe kryesisht të patriotit të shquar Antoni Athanasit. Nisur nga divergjencat që ekzistonin mes disa kishave shqiptare të Amerikës, At Krist Elli i përpoq për bashkimin dhe paqtimin e të gjitha kishave shqiptare të ngritura në Amerikë dhe njohjen e e tyre zyrtarisht nga Patrikana Ekumenike e Stambollit. Me rëndimin e gjëndjes shëndetësore dhe vdekjen e Fan Nolit, kishat shqiptare të Amerikës u përfshinë përsëri nga divergjencat dhe përkatësitë e disporës.Në atë kohë Kryekisha e Shën Gjergjit drejtohej nga Ikonom Krist Elli, i cili ishte njeriu më i besuar i Nolit. Krist Elli i përkrahur nga Antoni Athanas vazhdoi shërbesat ndaj bashkatdhetarëve të tij deri sa shendeti nuk ja mundesoi. Ikonom Krist Elli ndërroi jetë më 15 prill të vitit 1985. Ceremonia madhështore e varrimit të tij, e përballuar nga miku i tij Antoni Athanas, u pasqyrua në gazetën “Dielli”, si dhe në shtypin amerikan. Dreka e lamtumirës u organizua në restorantin “Pier 4”, në Boston.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Nasho Jorgaqi, Jeta e Fan S. Nolit, Ombra GVG, Tiranë 2005, faqe 421.
2-Klajd Kapinova, Noli një politikan i dështuar, Dita, 2 tetor 2004, faqe 17.