KRISTALINI
Kristalini ka formën e një thjerrëze dhe është i vendosur pas irisit, ose më saktë pas bebëzës së syrit. Është i qartë dhe krejtësisht i tejdukshëm; atë nuk e përshkojnë as nerva as enë gjaku.
Ne i shikojmë qartë si objektet që ndodhen afër, ashtu edhe ato që ndodhen larg nesh. Kjo ndodh në sajë të një vetie të çmuar që ka kristalini, që të zgjatet, duke u holluar ose duke u shkurtuar, duke rritur konveksitetin e faqeve të tij. Rritja ose zvogëlimi i konveksitetit të kristalinit ndodh me qëllim që përfytyrimi i objekteve, qofshin ato afër ose larg, të bjerë gjithmonë në njollën e verdhë të retinës. Kjo dukuri, që na lejon ne që të shikojmë gjithmonë qartë objektet që vërejmë, quhet akomodim. Me kalimin e moshës, kristalini e humbet aftësinë që të akomodohet, pra që të rregullojë konveksitetin e tij sipas largësisë së objekteve. Për këtë arsye, pas moshës 40-50 vjeç, zakonisht për të parë afër, përdoren syza të posaçme.