KORJA E HEMISFERAVE TË MËDHA

KORJA E HEMISFERAVE TË MËDHA

Korja e hemisferave është e përbërë nga lëndë e përhime, pra nga qeliza nervore të vendosura në thellësi me 7 shtresa. Trashësia e kores luhatet nga 1,5-4 mm, ndërsa sipërfaqja e saj arrin në 1500-1700 cm2. Numri i qelizave që formojnë koren e hemisferave është llogaritur në rreth 14-17 miliardë Në koren e hemisferave të mëdha përfundojnë të gjitha fijet nervore ndjesore, që vijnë nga receptorët e pafund të organizmit tonë dhe nga pjesët e tjera të sistemit qendror nervor, si dhe nisen fijet nervore lëvizëse, që shpërndahen në të gjitha organet. Korja është pa dyshim sektori më i rëndësishëm i sistemit qendror nervor.

Rëndësia e sektorëve të ndryshëm, që formojnë sistemin qendror nervor, fillon me palcën kurrizore dhe përfundon me koren e hemisferave të mëdha. Rëndësia e kores del e qartë edhe nga fakti se të gjitha katet e mëposhtme të sistemit qendror nervor kanë një lidhje të ngushtë me të dhe janë nën kontrollin e pandërprerë të saj. Dëmtimi ose heqja e pjesshme e saj shoqërohet me çrregullime shumë serioze. Eksperimentet e kryera në kafshë tregojnë se kur hiqen hemisferat e mëdha, ato nuk janë në gjendje të orientohen, e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në gjumë dhe jetojnë vetëm disa muaj. Studimet e imëta e shumë interesante që janë kryer deri më sot e që vazhdojnë të kryhen, kanë çuar në përfundimin tashmë të pamohueshëm se korrja e hemisferave është qendra e veprimtarisë së lartë nervore, është baza e veprimtarisë sonë psikike.

Trupi — Ynë

[cite]