Kuvendet ndërballkanike

Kuvendet ndërballkanike

Në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XVII, lufta antiosmane e popujve ballkanas kaloi në një fazë më të lartë, që karakterizohet nga përpjekjet për të bashkërenditur lëvizjet çlirimtare të vendeve të veçanta. Një rol të dorës së parë në këtë drejtim luajtën krerët shqiptarë, të cilët u bënë nga organizatorët më të rëndësishëm të luftës së popujve të shtypur. Fryt i përpjekjeve të tyre ishin mbledhjet e disa kuvendeve ballkanike që u mbajtën në Kuç, në Prokuplje dhe në Beograd. Më 13 dhjetor 1608 në manastirin e Moraçës, pranë liqenit të Shkodrës, nën drejtimin e patriarkut të Pejës, u mblodhën krerë serbë, shqiptarë, bullgarë, boshnjakë, hercegovinas e serbë ku u diskutua për dëbimin e osmanëve dhe iu kërkua ndihmë dukës së Savojës. Kjo mbledhje shërbeu si pikënisje për organizimin e disa kuvendeve ballkanike.
Kuvendi i parë u mblodh më 1614 në Kuç, në zemrën e Maleve shqiptare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kryengritësve të Shqipërisë, të Malit të Zi, Bosnjës, Hercegovinës, Serbisë dhe të Maqedonisë. Ai u zhvillua në dy sesione, njëri në korrik e tjetri në shtator. Nga të gjashtë krerët kryesorë ballkanas të këtij kuvendi dy ishin shqiptarë, Gjergj Bardhi i Mirditës dhe Lala Drekali i Kuçit, kurse nga 44 përfaqësuesit ballkanas një e katërta vinin nga vatrat e qëndresës shqiptare.Në sesionin e dytë të kuvendit u hartua plani i operacioneve luftarake. Rëndësi e veçantë për përgatitjen dhe fillimin e veprimeve ushtarake në Gadishullin Ballkanik iu kushtua vatrave malore kryengritëse shqiptare. Në këto vatra do të dërgoheshin për ndihmë nga të gjitha krahinat ballkanike 12 000 luftëtarë, të cilët do të pajiseshin me armë dhe, së bashku me kryengritësit shqiptarë, do të shpërthenin prej andej sulmet kundër garnizoneve osmane. Nga Himara do të kryhej sulmi për çlirimin e Vlorës, nga malësitë e Dukagjinit do të zhvilloheshin operacionet për çlirimin e Krujës, nga Malësia e Madhe do të fillonte sulmi për çlirimin e Shkodrës; po kështu edhe nga Mali i Zi do të sulmohej Kastelnovo në Grykën e Kotorrit. Në themel të këtij plani qëndronte gatishmëria për luftë si dhe përvoja shumëvjeçare e kryengritjeve të deriatëhershme të popujve të Ballkanit, e veçanërisht ajo e shqiptarëve. Në kryengritje do të merrnin pjesë edhe mitropoliti i Durrësit e peshkopët ortodoksë të Janinës e të Artës.

Në këtë sesion u shtrua përsëri si çështje kryesore ajo e sigurimit të armëve. Të dëshpëruar nga dështimet e mëparshme, pjesëmarrësit morën një vendim të ri, që ishte një goditje e rëndë për princat katolikë, të cilët i kishin mbajtur deri tani me fjalë për organizimin e “kryqëzatave” dhe nuk kishin dhënë ndihmë efektive në armë. Kuvendi ngarkoi të dërguarin e vet diplomatik, shqiptarin Gjon Renësi, që të deklaronte në oborret katolike të shteteve italiane se kuvendi nuk do të ngurronte t’u drejtohej për ndihmë shteteve protestante, si Anglisë, Holandës dhe princave të tjerë protestantë të Gjermanisë.

Midis burrave të shtetit të Evropës Perëndimore, që filluan të inkurajonin kryengritësit ballkanas me shpresë se fitorja do t’u jepte atyre mundësi të vinin dorë mbi tokat e çliruara, ishin duka i Parmës në Itali dhe duka i Neverit në Francë, prapa të cilëve qëndronte në fakt Spanja. Duka i Parmës pranoi ta ndihmonte me armë kryengritjen e projektuar dhe nisi një anije të ngarkuar me furnizime për në brigjet shqiptare, por kjo u sekuestrua rrugës nga venedikasit. Atëherë kuvendi vendosi të bashkërendiste kryengritjen me ekspeditën që përgatiste duka i Neverit për të zbarkuar në Gadishullin Ballkanik. Mirëpo edhe përpjekjet e këtij princi frëng dështuan për shkak të kontradiktave politike evropiane.

Meqenëse hapat e parë nuk dhanë rezultatet e dëshiruara, pas kuvendit të Kuçit u bënë përpjekje për një kuvend të ri. Më 11 nëntor 1616 në Prokuplje morën pjesë, siç thotë një burim bashkëkohës, “zotnitë kryesorë të mbretërisë së Bosnjës, të Kosovës, të Serbisë, të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Arkidukatit të Hercegovinës”. Për shkak të kushteve të reja që ishin krijuar me rritjen e rolit të Austrisë si kundërshtari kryesor i Perandorisë Osmane, këtë herë kuvendi nxori në plan të parë si detyrë për të çliruar së pari Bosnjën, meqenëse kishte mundësi më të mëdha të ndihmohej nga ana e Austrisë. Megjithëkëtë edhe në këtë kuvend u pa i nevojshëm një zbarkim në Shqipëri, sepse kryengritjet shqiptare mbanin vazhdimisht të hapur një plagë në anët më të dobëta të Perandorisë Osmane. Në bregdetin shqiptar, prej nga niseshin rrugët drejt viseve të brendshme të Ballkanit dhe se, – siç thuhej në vendim, – një pjesë e popullit të këtij vendi “nuk i bindet sulltanit dhe jeton i lirë (siç janë – shën. i aut.) zotnitë e Dukagjinit, e Kelmendit, e Piprit, e Palabardhit dhe të Malit të Zi”. Prandaj në çdo plan ushtarak, si më përpara edhe tani, Shqipëria zinte një vend nga më të rëndësishmit. Me të zbarkuar flota evropiane në brigjet shqiptare, 10 000 burra do të bashkoheshin me forcat hercegovinase. Me 40 000 veta nga Dukagjini, Kelmendi, Pipri, Palabardhi e nga Mali i Zi do të merrnin kështjellën e Shkodrës e prej andej do të shkonin drejt Sofjes, ku do të bashkoheshin me forcat e tjera për të parashtruar planin për marrjen e Stambollit. Projekti mbeti përsëri në letër. Duka i Neverit e zgjati shumë përgatitjen e ekspeditës. Në pragun e nisjes flota u dogj. Spanja i druhej luftës me shtetin osman.
Një dëshmi tjetër e lëvizjes çlirimtare ballkanike u bë kuvendi i Beogradit, që u mblodh më 18 nëntor 1620. Aty u shqyrtuan më me hollësi planet e dy kuvendeve të mëparshme dhe u theksua nevoja e çlirimit të Shkodrës nga kryengritësit e Malësisë së Madhe dhe të malësive të Dukagjinit, si dhe çlirimi i Krujës nga banorët e malësive të Shqipërisë së Mesme.

Nga të 24 krerët e kuvendit të Beogradit, që nënshkruan planin e luftës, më të rëndësishmit ishin Lala Drekali i Kuçit, Gjin Gjergji i Dukagjinit dhe Vuk Gjeçi i Kelmendit, pas të cilëve vinin krerët e tjerë të ardhur në kuvend nga malet shqiptare. Të bashkuar në “Lidhjen e Arbënit”, Dukagjini, Pipri e Kelmendi do të nxirrnin 14 000 luftëtarë. Të gjithë do të grumbulloheshin në Pejë, ku do të krijohej një ushtri prej 50 000 këmbësorëve e 30 000 kalorësve prej forcave të Shqipërisë, Maqedonisë e Serbisë. Edhe këtë herë kuvendi zgjodhi shqiptarin Gjon Renësi si njërin nga të dërguarit e vet për në oborret evropiane. Por, ndihma e kërkuar me armë dhe zbarkimi në brigjet shqiptare nuk u siguruan as këtë herë.

Kuvendet ndërballkanike nuk arritën të organizonin një aksion të përbashkët për dëbimin e osmanëve nga Evropa. Popujve ballkanas e në radhë të parë kryengritësve shqiptarë iu desh të luftonin me forcat e veta. Shkaqet e dështimeve të përpjekjeve për organizimin e një aksioni të përbashkët ballkanik qëndrojnë kryesisht në kontradiktat midis shteteve evropiane, të cilat ishin në rivalitet me njëra-tjetrën në zotërimet osmane.

Gjatë periudhës së kuvendeve ballkanike u hartuan mjaft projekte. Patriku i Ohrit, Athanasi, hartoi një projekt më 1615-1616. Ai kishte vënë në lëvizje peshkopë e klerikë të të gjitha rangjeve. Si njohës shumë i mirë i gjendjes në Ballkan, krahas kulturës teologjike, Athanasi kishte njohuri edhe nga arti ushtarak, aq sa ishte në gjendje të hartonte planin e kryengritjes. Ai kishte hyrë në lidhje me dukagjinasit, kelmendasit dhe pastroviqasit dhe shqiptarët e tjerë, të cilët prisnin ndihmën nga Spanja e Napoli.
Në vitin 1621, Pjetër Budi hartoi një relacion me të cilin përkrahte projektin e Bertuçit dhe kërkonte vënien e tij në jetë. Sipas tij, 30 000 shqiptarë të krishterë e myslimanë, ishin gati të rrëmbenin armët. Shqiptarët kishin nevojë për armë, municione dhe për një princ për t’i udhëhequr. Koha më e përshtatshme ishte viti 1621, mbasi forcat ushtarake osmane të tokave shqiptare kishin shkuar në luftë kundër Polonisë. As relacioni i P. Budit nuk gjeti përkrahje.

 Historia shqiptare
 Sundimi Osman

 

[cite]