LËNDËT PLASËSE


LËNDËT PLASËSE
✤ Lëndë ose përzierje lëndësh që nën veprimin e ndonjë faktori të jashtëm zbërthehen duke u shndërruar me shpejtësi në një sasi të madhe gazi me temp. të lartë dhe me energji të madhe. Në Shqipëri disa L.P. e sidomos baruti me tym është prodhuar që në mesjetë (shek.XV). Mjeshtrat shqiptarë në kohën e Skënderbeut prodhonin barut me tym të cilësisë së mirë në punishte të vogla (me dinga), nga të cilat ishte e njohur deri vonë ajo e fshatit Klos të rrethit të Matit etj.

Pas Çlirimit prodhimi i L.P. filloi të bëhet nga ndërmarrje të veçanta industriale për nevojat e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë (minierat, ndërtimi etj.), si edhe për nevojat e mbrojtjes. Ind. e prodhimit të L.P. është zhvilluar, zgjeruar duke përdorur kryesisht lëndë të parë vendi. Sot ajo prodhon lëndë kryesore e të rëndësishme plasëse si: barute të llojeve të ndryshme me dhe pa tym; nitroderivate aromatike (trinitrotoluen etj.); estere të ndryshme nitrike me veti plasëse (nitroglicerinë, nitrocelulozë etj). Po ashtu prodhohen edhe disa lloje lëndësh dhe përzierjesh me rëndësi praktike si xhelatinë plasëse, amonit, heksotol dhe përzierje të ndryshme piroteknike. Përgatiten edhe fishekzjarre dhe fitila piroteknikë të tipeve e formave të ndryshme.

(I.M.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lëndët Plasëse


[cite]