LËVIZJET IDEOLOGJIKE PËR THELLIMIN E REVOLUCIONIT SOCIALIST


LËVIZJET IDEOLOGJIKE PËR THELLIMIN E REVOLUCIONIT SOCIALIST
✤ Lëvizje të mëdha revolucionare të masave punonjëse nën drejtimin e klasës punëtore e të PPSH, që shpërthyen pas Kongresit V të PPSH dhe fjalës historike të shokut Enver Hoxha të 6 shkurtit 1967, për të luftuar të metat e dobësitë në punë, për të spastruar shoqërinë socialiste nga mbeturinat ideologjike të shoqërisë së vjetër dhe ndikimet e ideologjisë borgjezo-revizioniste, për të rrënjosur në punë e në jetë normat e qëndrimet revolucionare socialiste, mësimet proletare të Partisë, për zhvillimin e pandërprerë të revolucionit socialist. Midis tyre spikasin: Lëvizja për të vënë kudo interesin e përgjithshëm mbi atë vetjak, thelbin e së cilës e përbën sulmi i përgjithshëm kundër psikologjisë mikroborgjeze për rritjen e ndërgjegjes soeialiste të punonjësve. Kjo lëvizje u konkretizua dhe u zhvillua në shumë nisma të punonjësve.

Lëvizja kundër fesë, paragjykimeve fetare dhe zakoneve prapanike, e cila përmbledh luftën në ballë të gjerë me pjesëmarrjen e të gjitha shtresave të popullit, veçanërisht të rinisë, e drejtuar si kundër botëkuptimit reaksionar fetar, ashtu dhe kundër institucioneve fetare që ruanin dhe ushqenin fenë e zakonet prapanike, që helmonin ndërgjegjen e njerëzve dhe që shërbenin si çerdhe për punë armiqësore (shih Feja në Shqipëri dhe Institucionet fetare). Lëvizja për çlirimin e plotë të gruas, e cila shpërtheu nën thirrjen e shokut Enver Hoxha: «Gjithë Partia dhe vendi duhet të ngrihen në këmbë, të djegin me zjarr zakonet prapanike e t’i këpusin kokën cilitdo që merr nëpër këmbë ligjin e shenjtë të Partisë për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe të vajzave». (shih Emancipimi i gruas).

Lëvizja për revolucionarizimin e shkollës, e cila përfshiu të gjitha anët e punës mësimore dhe edukuese të shkollës dhe që u shoqërua me aksione për revolucionarizimin e brendisë së mësimit, për përmirësimin e programeve e të teksteve shkollore, për përdorimin e metodave dhe formave të reja më revolucionare të mësimdhënies, për revolucionarizimin e marrëdhënieve mësues-nxënës (shih Revolucionarizimi i shkollës). Revolucionarizimi i letërsisë dhe i arteve, përmbajtja e të cilit ishte fuqizimi i luftës për zhvillimin e një letërsie dhe arti të realizmit socialist, për revolucionarizimin e mëtejshëm të botimeve letrare dhe të gjithë krijimtarisë letrare e artistike (shih Plenumi IV i KO të PPSH — qershor 1973). Këto lëvizje, të ndërthurura ngushtë me luftën për revolucionarizimin e mëtejshëm të Partisë e të pushtetit, kishin si qëllim afirmimin e mëtejshëm të parimeve e normave socialiste proletare, sigurimin e vazhdimësisë së pandërprerë të revolucionit socialist në të gjitha fushat e jetës.

(A.St.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lëvizjet Ideologjike Për Thellimin E Revolucionit Socialist


[cite]